Franca “makineria” e Botërorit? Lilaj zbulon skuadrën për t’u mposhtur dhe paralajmëron Argjentinën

Franca po shfaqet si një nga skuadrat më të kompletuara të këtij Botërori, ndërsa Argjentina përballet me një provë të fortë për të treguar nëse mund të mbrojë titullin. Ish-futbollisti Skënder Lilaj, i ftuar në emisionin “Ora e Botërorit” në Ora News, analizoi skuadrat pretendente dhe përballjet më të rëndësishme të kompeticionit.

Sipas Lilajt, Franca ka treguar rritje nga ndeshja në ndeshje dhe është kthyer në një nga ekipet më të vështira për t’u mposhtur. Ai bëri edhe një krahasim me Spanjën, duke vlerësuar se balancat mes dy skuadrave kanë ndryshuar në dy vitet e fundit.

“Franca po tregon ndeshje pas ndeshjeje potencialin e jashtëzakonshëm që ka. Mendoj që është skuadra për t’u mundur realisht këtë Botëror”, u shpreh Skënder Lilaj.

Ndërkohë, për Argjentinën, ish-futbollisti vlerësoi peshën e fanellës dhe mentalitetin e kampiones në fuqi, por evidentoi edhe problemet që skuadra ka shfaqur në repartin e mbrojtjes.

“Argjentina vazhdon me dëshirën e madhe dhe egon e madhe. Është skuadër e fortë, i peshon fanella, por ka disa probleme në mbrojtje dhe pëson gola”, tha Lilaj.

Sa i përket sfidës ndaj Zvicrës, ai e cilësoi si një provë të rëndësishme për skuadrën e Lionel Messit. Sipas tij, kombëtarja zvicerane nuk ka një emër të madh në futbollin botëror, por vitet e fundit ka treguar se mund të përballet denjësisht me çdo kundërshtar.

“Është prova e parë e fortë për Argjentinën. Zvicra vitet e fundit na ka treguar që di të luajë shumë mirë në kompeticionet e mëdha. Është kockë e fortë për çdo skuadër”, u shpreh ish-futbollisti.

Botërori vijon me përballje të forta, ku favoritët duhet të justifikojnë pritshmëritë, ndërsa skuadrat më pak të favorizuara kërkojnë të shkaktojnë surpriza.

 

EMISIONET