Historia e jashtëzakonshme e Raul Jimenez, sulmuesi që gati vdiq dhe u bë hero te Meksika

Historia e jashtëzakonshme e Raul Jimenez, sulmuesi që gati vdiq dhe u

Një nga historitë më prekëse të Kupës së Botës 2026 vjen nga sulmuesi meksikan Raúl Jiménez, i cili ishte protagonist në fitoren 2-0 të Meksikës ndaj Afrika e Jugut në ndeshjen e Grupit A, të zhvilluar në stadiumin legjendar Estadio Azteca.

Sulmuesi 35-vjeçar realizoi golin e dytë të takimit pas një krosimi perfekt nga Roberto Alvarado. Menjëherë pas golit, Jimenez festoi duke ngritur gishtin drejt qiellit, një dedikim prekës për babain e tij, Raul Jimenez Vega, i cili u nda nga jeta në mars të këtij viti.

Mes festës së më shumë se 80 mijë tifozëve në tribunat e Aztecës, futbollisti nuk mundi t’i mbante emocionet. I rrethuar nga shokët e skuadrës, ai shpërtheu në lot, në një moment që preku gjithë stadiumin.

Goli ishte i 46-ti i tij me fanellën e Meksikës në 125 ndeshje ndërkombëtare, duke e ngjitur në vendin e dytë të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e kombëtares, në barazim me rekorde të tjera, ndërsa mbetet pas vetëm të Javier Hernández, i cili ka shënuar 52 gola.

Por historia e Jimenezit shkon shumë përtej statistikave. Në nëntor të vitit 2020, teksa luante për Wolverhampton Wanderers në një ndeshje të Premier League kundër Arsenal, ai pësoi një dëmtim të rëndë në kokë pas një përplasjeje me mbrojtësin David Luiz.

Meksikani pësoi frakturë të kafkës dhe humbi ndjenjat në fushë, duke iu nënshtruar menjëherë një operacioni emergjent. Në atë kohë kishte frikë reale jo vetëm për karrierën e tij, por edhe për jetën.

Pas muajsh rehabilitimi dhe rikuperimi të vështirë, Jimenez u rikthye në futbollin profesionist në vitin 2021. Edhe sot ai vazhdon të luajë me mbrojtëse speciale në kokë, simbol i betejës që fitoi kundër një prej dëmtimeve më të rënda që mund të përjetojë një sportist.

Goli ndaj Afrikës së Jugut nuk ishte vetëm një moment i rëndësishëm sportiv, por edhe kurorëzimi i një rikthimi të jashtëzakonshëm, që e ka shndërruar Raul Jimenezin në një nga historitë më frymëzuese të këtij Botërori.

EMISIONET