Henry ngre në piedestal Olise: Franca më në fund ka gjetur numrin 10 që i mungonte!

Pavarësisht paraqitjes spektakolare të Kylian Mbappé, i cili me dy golat e shënuar në fitoren 3-1 ndaj Senegalit u bë golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares franceze, vëmendjen e legjendës franceze Thierry Henry e mori një tjetër protagonist.
Ish-sulmuesi i Francës dhe Arsenalit vlerësoi ndikimin e madh të Michael Olise, duke e cilësuar si lojtarin që po transformon lojën e “Gjelave” dhe po bëhet elementi kyç në skemat taktike të ekipit.
“Mbappé do të jetë gjithmonë MVP-ja jonë. Por Olise po bëhet MIP-i ynë, lojtari më i rëndësishëm për ekipin. Kylian iu përgjigj pritshmërive dhe bëri atë që pritej prej tij, por ndikimi i Olise po rritet vazhdimisht”, deklaroi Henry.
Sipas tij, ndeshja ndryshoi rrjedhë në pjesën e dytë, kur Olise u aktivizua në një rol më qendror në mesfushën sulmuese. Pikërisht nga ai pozicion, lojtari arriti të kontrollojë ritmin e lojës dhe të krijojë hapësira për shokët e skuadrës.
Henry theksoi se inteligjenca taktike dhe vizioni i Olise e bëjnë atë një armë të jashtëzakonshme për Francën. “Ai sheh gjithçka në fushë. Mjafton një moment shpërqendrimi nga kundërshtari dhe ai të ndëshkon me një pasim vendimtar. Ndikimi i tij në pjesën e dytë i dha ekipit vrullin e nevojshëm”, u shpreh ai.
Ish-kampioni i botës shkoi edhe më tej në analizën e tij, duke e cilësuar Olise si hallkën që i ka munguar prej kohësh kombëtares franceze.
“Në rolin lidhës mes mbrojtjes, mesfushës dhe sulmit, Franca më në fund ka gjetur lojtarin që kërkonte. Ai është ai numri 10 klasik që i ka munguar ekipit prej vitesh”, përfundoi Henry.
Me Mbappé që vazhdon të thyejë rekorde dhe Olise që po fiton gjithnjë e më shumë protagonizëm, Franca duket se ka gjetur një dyshe që mund të udhëheqë ekipin drejt sukseseve të reja në arenën ndërkombëtare.

