Rreziku i vdekjes nga kanceri i qafës së mitrës para moshës 30 vjeç “pranë zeros” pas vaksinës HPV

Fëmijët që vaksinohen në moshën 12–13 vjeç kundër HPV-së (Human papillomavirus) kanë një rrezik pothuajse zero, për të vdekur nga kanceri i qafës së mitrës, para moshës 30 vjeç, sipas një studimi të ri.
Studimi i parë i këtij lloji, zbulon se vdekjet janë ulur ndjeshëm, që nga nisja e ofrimit të vaksinës për vajzat në moshë të vogël në vitin 2008, ndërsa rreth 200 jetë janë shpëtuar deri më tani në Angli falë saj.
Midis viteve 2020 dhe 2024, nuk është regjistruar asnjë vdekje nga nga kanceri i qafës së mitrës, te gratë e moshës 20–24 vjeç – hera e parë që ndodh në një periudhë 5-vjeçare. Pa vaksinim, do të priteshin rreth 23 vdekje.
Në përgjithësi, kanceri i qafës së mitrës mbetet kanceri i 14-të më i shpeshtë te gratë në Britaninë e Madhe, me rreth 3 300 raste në vit. Mendohet se HPV-ja është shkaktar i 99% të këtyre rasteve.
Shumica e infeksioneve me HPV zhduken pa probleme, por disa shkaktojnë ndryshime qelizore, që mund të çojnë në kancer, disa vite më vonë.
Autorët e raportit parashikojnë se numri i vdekjeve, do të vazhdojë të bjerë ndërsa më shumë persona vaksinohen dhe brezat e vaksinuar rriten.
Instituti i Kërkimeve për Kancerin në Britaninë e Madhe e cilësoi studimin si një “moment historik të jashtëzakonshëm”, por paralajmëroi se niveli i vaksinimit në Angli, mbetet nën objektivat e rekomanduara.
Prof. Peter Sasieni, studiuesi kryesor në Universitetin “Queen Mary” të Londrës, e cilësoi uljen e vdekjeve si “vetëm majën e ajsbergut”, duke theksuar se efektet reale do të rriten me kalimin e viteve.
Sipas tij, ndërsa brezat e vaksinuar rriten, do të shpëtohen shumë më tepër jetë.
Qeveria britanike synon eliminimin e kancerit të qafës së mitrës, si problem i shëndetit publik, deri në vitin 2040.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se niveli i vaksinimit në Angli ka rënë nën 90%, objektivi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për eliminimin e sëmundjes.
Sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Britaninë e Madhe, vetëm 76% e vajzave janë vaksinuar deri në moshën 15 vjeç në vitin 2024–2025.
Autoritetet shëndetësore theksojnë gjithashtu rëndësinë e kontrollit periodik (screening), edhe për gratë e vaksinuara, ndërsa vaksina e HPV-së, është dhënë edhe për djemtë që nga viti 2019, për të ulur rrezikun e përhapjes dhe disa lloje kanceri.
Departamenti i Shëndetësisë në Angli e cilësoi studimin si dëshmi të “ndikimit të jashtëzakonshëm të vaksinës të HPV-së” dhe njoftoi fushata të reja për rritjen e vaksinimit dhe testime në komunitet.


