Ngritja e Këshillit Fiskal, Malaj: Hap i rëndësishëm për forcimin e disiplinës fiskale

Qeveria po ndërmerr një hap të ri në drejtim të forcimit të transparencës dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin e financave publike, përmes krijimit të Këshillit Fiskal, një institucion i pavarur publik që do t’i përgjigjet Kuvendit.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se projektligji për ngritjen e Këshillit Fiskal është hedhur për konsultim publik dhe synon të harmonizojë më tej kuadrin fiskal të vendit me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas tij, edhe pse Shqipëria vlerësohet si një nga vendet lidere në rajon për transparencën buxhetore, ngritja e këtij institucioni përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm për forcimin e disiplinës fiskale, rritjen e transparencës dhe garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike.
Këshilli Fiskal do të funksionojë si një institucion i pavarur publik, me mandat për të ofruar analiza dhe vlerësime profesionale mbi politikat fiskale dhe buxhetore të vendit.
Sipas projektligjit, përfitimet kryesore që pritet të sjellë Këshilli Fiskal janë forcimi i disiplinës fiskale, rritja e transparencës në proceset buxhetore, garantimi i qëndrueshmërisë së financave publike, përputhshmëria me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe ndjekja e praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e menaxhimit fiskal.
Ndër funksionet kryesore të Këshillit Fiskal do të jenë analiza e parashikimeve buxhetore, analiza e parashikimeve makroekonomike, vlerësimi i politikës fiskale si dhe monitorimi i zbatimit të rregullave fiskale.
“Krijimi i këtij institucioni do të kontribuojë në rritjen e besueshmërisë dhe cilësisë së politikave fiskale, duke forcuar mbikëqyrjen e pavarur të financave publike dhe duke mbështetur vendimmarrjen ekonomike në përputhje me standardet evropiane”, deklaroi Malaj.


