Çelmeta: Ancelotti përgjegjësi me Brazilin, trofeu i Botërorit mbetet në Amerikën Latine
Ethet e Kampionatit Botëror kanë përfshirë jo vetëm fushat e blerta, por edhe studiot televizive, ku analizat teknike shpesh shkrihen me batutat dhe prapaskenat mes të ftuarve.
I ftuar për të folur mbi ecurinë e kompeticionit, i apasionuari pas futbollit, në emisionin "Ora e Botërorit ishte Roland Çelmeta, ka bërë një skaner të detajuar të ndeshjes së fundit të Brazilit ndaj Marokut, duke mos kursyer kritikat për trajnerin Carlo Ancelotti.
Sipas Çelmetës, kombëtarja "Seleçao" u shfaq pa dëshirë në fushë dhe kjo erdhi si pasojë e stilit të ri që po implementon tekniku italian, apo edhe rreshtimit jo të mirë.
"Pashë një Brazil pa dëshirë në fushë. Pashë një Brazil siç jemi mësuar ne ta shohim në atë tiki-takën e vet apo në atë futbollin e bukur, ndoshta ardhja e trajnerit Ancelotti në stilin e tij të lojës, ose vendosja jo e mirë e ekipit të Brazilit në fushë, bëri që Maroku të zotëronte lojën. Goli erdhi gjithmonë nga gabimi i lojtarëve të Brazilit, në rreshtimin në mbrojtje dhe në thyerjen e aksionit në mesfushë," u shpreh Çelmeta.
Megjithatë, ai vlerësoi maksimalisht yllin e Real Madrid, Vinicius Jr, i cili sipas tij shpëtoi fytyrën e pesë herë kampionëve të botës: "Pastaj është Vinicius i cili diti të mos ta lërë Brazilin në baltë. Arriti të shënojë një super gol."
