"Çekia humbi kontrollin e ndeshjes"/ Shtrepi: Afrika e Jugut shpëton një pikë të vlefshme

I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, Josel Shtrepi komentoi përballjen mes Çekisë dhe Afrikës së Jugut, një ndeshje që sipas tij nisi me ritëm të lartë, por nuk arriti të ofronte spektaklin e pritur deri në fund.

Shtrepi vlerësoi se çdo ekip pjesëmarrës në një kompeticion të tillë meriton respekt për sakrificat, investimet dhe rrugëtimin që ka bërë për të qenë pjesë e Botërorit. Megjithatë, ai pranoi se jo të gjitha ndeshjet arrijnë të mbajnë të njëjtin nivel interesi për tifozët.

“Çdo ekip në këtë kompeticion meriton respekt sepse ka bërë një rrugëtim të vështirë. Janë investuar para, emocione dhe punë për të arritur deri këtu. Por ka ndeshje që bëhen të vështira për t’u ndjekur dhe për të mbajtur fokusin. Kjo ishte edhe sfida mes Afrikës së Jugut dhe Çekisë. Nisi me intensitet të lartë dhe me gol në minutën e gjashtë. U duk sikur Çekia do ta dominonte ndeshjen, por në pjesën e dytë Afrika e Jugut u çlirua nga emocionet, nuk kishte më çfarë të humbte dhe arriti të marrë një barazim të merituar.”-tha Shtrepi.

Sipas tij, goli i hershëm i çekëve krijoi përshtypjen se ndeshja do të kishte një rrjedhë të qartë, por reagimi i Afrikës së Jugut pas pushimit ndryshoi ekuilibrat. Në fund, të dyja skuadrat u ndanë me nga një pikë në një përballje që nuk prodhoi shumë raste apo emocione të tjera.

 

EMISIONET