"Ky është viti i Gjermanisë"/ Rajta: Wirtz dhe Musiala po bëjnë diferencën

I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, Nikoll Rajta analizoi ecurinë e Kombëtares së Gjermanisë në Kampionatin Botëror, duke u ndalur te potenciali i skuadrës dhe pritshmëritë e larta që shoqërojnë katër herë kampionët e botës.

Sipas tij, fitorja e thellë ndaj Curaçao-s nuk është një tregues i mjaftueshëm për suksesin e Gjermanisë, pasi një ekip me historinë dhe traditën e saj matet me objektiva shumë më të mëdhenj.

"Nuk do të krenohesha me një fitore 7-1 ndaj Curaçao-s. Gjermania është katër herë kampione bote dhe për një ekip të tillë krenaria vjen kur arrin në finale, ose të paktën në gjysmëfinale. Pas dy Botërorëve të fundit, ku nuk arriti të kalojë grupin, këtë vit më duket se ka ardhur momenti i duhur. Ka lojtarë me shumë cilësi, si Florian Wirtz dhe Jamal Musiala, një dyshe fantastike kur luajnë bashkë. Kanë kombinime shumë të mira, ndërsa mbrojtja po fiton stabilitet. Mendoj se Gjermania mund të jetë një nga surprizat e këtij Botërori."-tha ai.

Rajta vlerësoi veçanërisht formën e dyshes Wirtz-Musiala, të cilët po japin ritëm dhe kreativitet në repartin ofensiv, ndërsa shtoi se skuadra po fiton gjithnjë e më shumë ekuilibër edhe në mbrojtje.

Gjatë diskutimit nuk munguan as batutat mes panelistëve për rivalitetet historike të Gjermanisë. Rajta kujtoi fitoren e famshme 7-1 ndaj Brazilit në Botërorin e vitit 2014, por pranoi me humor se ekziston një kundërshtar ndaj të cilit gjermanët e kanë pasur gjithmonë të vështirë.

"Si tifozë gjermanë, jemi mësuar të fitojmë ndaj skuadrave të mëdha, por vetëm Italinë duket se nuk e mposhtim kurrë," u shpreh ai.

Me paraqitjet e deritanishme dhe me talentet që ka në përbërje, Gjermania shihet si një nga ekipet që mund të luajë një rol të rëndësishëm në fazat vendimtare të Kampionatit Botëror.

 

EMISIONET