Amnistia Penale/ Politologu: Ka deputetë që votuan ligje për të nxjerrë familjarët nga burgu

Politologu Afrim Krasniqi ka hedhur akuza të ashpra ndaj mazhorancës, duke pretenduar se gjatë procesit të miratimit të amnistisë penale në Kuvend janë shfaqur raste të qarta konflikti interesi.

Në një intervistë për A2 CNN, ai kritikoi debatin parlamentar, duke thënë se çështjet që shqetësojnë qytetarët nuk morën vëmendjen e duhur, ndërsa vlerësoi se fokusi u vendos te kalkulimet politike.

Sipas Krasniqit, Partia Socialiste e konsideron sukses sigurimin e 84 votave për miratimin e amnistisë, por ai ngriti dyshime mbi mënyrën se si u zhvillua procesi.

Politologu deklaroi se monitorimet e bëra mbi aktivitetin parlamentar kanë evidentuar raste kur deputetë kanë votuar për ligje që, sipas tij, kanë sjellë përfitime të drejtpërdrejta për familjarët e tyre të dënuar me burg.

Ai theksoi se situata të tilla bien ndesh me parimet e konfliktit të interesit dhe, sipas tij, janë të ndaluara si nga legjislacioni në fuqi ashtu edhe nga Kushtetuta.

Krasniqi shprehu gjithashtu shqetësim për reagimin e institucioneve ndaj protestave kundër korrupsionit, duke vënë në pikëpyetje ndjekjet penale ndaj qytetarëve që marrin pjesë në tubime publike.

Sipas tij, në vendet e Bashkimit Europian protestat masive kundër korrupsionit nuk trajtohen në të njëjtën mënyrë nga autoritetet.

EMISIONET