Siria akuzon “terroristët” e huaj
Ministri i Jashtëm sirian ka deklaruar se “terroristë nga më shumë se 83 vende po vrasin ushtarë dhe civilë sirianë”. Në një intervistë për BBC, Walid Muallem deklaroi se bisedimet ndërkombëtare të paqes janë jetike për Sirinë.
Por ai propozoi se bisedimet ne Gjenevë nuk mund të kenë sukses kur turqit, sauditët dhe katarasit ndihmojnë rebelët.
“Konferenca e paqes në Gjenevë nuk mund të ketë sukses nëse vende si Turqia, Arabia Saudite dhe Katari nuk ndalin furnizimin me armë dhe financimin e rebelëve”, deklaroi Muallem për gazetarin e BBC, Jeremy Bowen.
Ai gjithashtu konfirmoi për OKB-në se Siria ka ndërmend të bashkëpunojë me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike,në kuadër të programit për asgjesimin e armëve të tilla.
Në një fjalim të mbajtur më herët gjatë muajit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Muallem krahasoi “pushtimin e Sirisë nga terroristët” me sulmet e 11 shtatorit në Nju Jork.
Ai akuzoi vende “të mirënjohura” se mbështesin “terroristët” që luftojnë kundër trupave qeveritare dhe se ushtrojnë agresion ushtarak jashtë mandatit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Gjithashtu, shefi i dipomacisë siriane hodhi poshtë idenë se në vendin e tij ka rebelë të moderuar. “Në Siri ka vrasës që copëtojnë trupat e njerëzve ndërsa janë ende gjallë dhe ua dërgojnë copat e tyre familjarëve të viktimave”, tha Muallem.
Ai theksoi se Siria vazhdimisht ka mbështetur një zgjidhje politike për konfliktin, por shtoi se shtete të huaja, që sipas tij u japin armë kimike rebelëve, duhet t’u binden gjithashtu angazhimeve të tyre.
