Hapi i parë drejt kirurgjisë së të ardhmes: Roboti humanoid kryen me sukses operacionin e parë

Hapi i parë drejt kirurgjisë së të ardhmes: Roboti humanoid

Nga spitalet e largëta deri te fushëbetejat dhe hapësira, një teknologji e re po tregon se ku mund të shkojë mjekësia nesër

Një robot humanoid ka kryer operacion për herë të parë, duke shënuar një moment të rëndësishëm për robotikën dhe kujdesin kritik shëndetësor.

Në bashkëpunim me kirurgët nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego, një robot humanoid kreu me sukses heqjen e fshikëzës së tëmthit.

Në një operacion të dytë, dy robotë humanoidë, duke punuar krah për krah, kryen një heqje laparoskopike të fshikëzës së tëmthit. Të dyja procedurat, të realizuara si pjesë e një eksperimenti për dëshmimin e konceptit, u kryen te gjitarë jo-primatë.

“Ky studim tregon se robotët humanoidë kanë një të ardhme të mundshme në fushën e kirurgjisë”, tha Michael Yip, anëtar i fakultetit në Departamentin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UC San Diego dhe një nga autorët kryesorë të punimit.

“Robotët humanoidë të komanduar nga distanca dhe ata autonomë kanë potencial real për të zgjeruar qasjen në operacione kritike, të cilave pacientët përndryshe nuk do të mund t’u qaseshin. Kjo mund të ndihmojë në adresimin e krizës së kujdesit shëndetësor, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në mbarë botën.”

Studiuesit që qëndrojnë pas këtij zhvillimi thonë se robotët humanoidë ofrojnë disa përparësi krahasuar me sistemet e specializuara robotike kirurgjikale që përdoren aktualisht

Humanoid robot performs surgery in world first

Humanoidët zakonisht kushtojnë më pak për t’u prodhuar, janë më të lehtë për t’u vendosur në zona të largëta dhe janë shumë më të gjithanshëm sa i përket llojit të procedurave dhe detyrave që mund të kryejnë.

“Kushton shumë më pak dhe zë shumë më pak hapësirë në sallën e operacionit”, tha Shanglei Liu, mjek dhe asistent profesor i kirurgjisë në Shkollën e Mjekësisë të UC San Diego, një nga autorët kryesorë të punimit, i cili e komandoi robotin nga distanca gjatë studimit.

“Prandaj është i lehtë për t’u vendosur kudo: nga zonat rurale, në fushëbetejë, madje edhe në hapësirë.”

Një ekip njeri-robot, i përbërë nga një robot humanoid dhe një kirurg njerëzor në rolin e asistentit, kreu me sukses heqjen e fshikëzës së tëmthit.

Robotët, të quajtur me nofkën Surgie, u komanduan nga distanca nga kirurgë të trajnuar, megjithëse studiuesit shpresojnë se zhvillimet në inteligjencën artificiale do t’u mundësojnë atyre të operojnë në mënyrë autonome në të ardhmen.

“Një nga synimet tona është të zhvillojmë asistentin kirurgjik autonom”, tha dr. Yip.

“Shumë komunitete përballen me mungesë të personelit të mjaftueshëm në ekipet kirurgjikale, që do të thotë se pacientët nuk po marrin trajtimin e nevojshëm.

Synimi ynë është një sallë operacioni e së ardhmes, ku robotët humanoidë dhe njerëzit punojnë krah për krah si një ekip i integruar për t’u ofruar procedura atyre që kanë nevojë, si në mjedise tradicionale spitalore, ashtu edhe në skenarë jo tradicionalë të mjekësisë në terren.”

Operacionet janë përshkruar në një punim me titull “Studim i fizibilitetit in vivo për përdorimin e robotëve humanoidë në kirurgji”, i publikuar të mërkurën në revistën Nature.

EMISIONET