VUÇIÇ SFIDON PERËNDIMIN! Presidenti serb mbron Radoiçiçin dhe refuzon akuzat ndaj tij

Aleksandër Vuçiç sfidon Kosovën dhe Bashkimin Evropian, duke deklaruar se Milan Radoiçiç nuk është kriminel dhe se në Serbi nuk po ndiqet penalisht, pavarësisht përgjegjësisë që ka marrë për sulmin e armatosur në Banjskë.

VUÇIÇ SFIDON PERËNDIMIN! Presidenti serb mbron

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i ka bërë një sfidë të hapur Kosovës dhe Bashkimin Europian në lidhje me çështjen e Milan Radoiçiçit.

Në një intervistë për median serbe, Vuçiç deklaroi se ish-nënkryetari i Listës Serbe nuk është kriminel dhe se ndaj tij nuk ka asnjë procedim penal në Serbi.

Nga Beogradi, ai tha se njoftimi i kuq i Interpolit nuk është lëshuar për ndonjë krim, por, sipas tij, për çështjen e Kosovës. Deklarata vjen pavarësisht faktit se Radoiçiçi ka marrë publikisht përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.

“Ju nuk thatë pse Milan Radoiçiç është në njoftimin e kuq. Nuk është për shkak të ndonjë krimi, por për shkak të Kosovës dhe Metohisë. Këtë po e them vetëm që të jetë krejtësisht e qartë. Dikush po e ndjek penalisht për çështjen e Kosovës dhe Metohisë, jo sepse, siç u përpoqët të nënkuptonit këtu, ai është kriminel”, tha Vuçiç.

Në sulmin ndaj Policisë së Kosovës mbeti i vrarë një efektiv policie, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë. Për Prishtinën dhe Bashkimin Evropian, autorët e sulmit duhet të përballen me drejtësinë, ndërsa për Beogradin, Radoiçiçi nuk konsiderohet i dyshuar për ndonjë vepër penale.

Edhe pse ndaj tij ekziston një urdhër-arrest ndërkombëtar i kërkuar nga Kosova, Radoiçiçi vazhdon të jetë i lirë në Serbi dhe me vendbanim të regjistruar në Beograd.

Vuçiç komentoi edhe raportimet e mediave serbe se Radoiçiçi dhe ish-partneri i tij i biznesit, Zvonko Veselinoviq, po mbrohen nga një pjesëtar i Xhandarmërisë serbe, por tha se nuk ka informacion për këto pretendime.

Radoiçiçi dhe Veselinoviqi ndodhen prej vitesh nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërsa deklaratat e fundit të presidentit serb pritet të shtojnë përplasjet politike mes Beogradit, Prishtinës dhe Brukselit.

Ndërsa kjo deklaratë e Vuçiç vjen vetëm pasi në fundjave deklaroi se do të jepte dorëheqje nga posti i presidentit.

EMISIONET