Starmer 'ndez' garën e armatimeve: 15 miliardë paund shtesë për mbrojtjen britanike

Kryeministri britanik Keir Starmer ka prezantuar planin e ri të shpenzimeve për mbrojtjen, duke parashikuar një rritje prej 15 miliardë funtesh për modernizimin e forcave të armatosura dhe përgatitjen e vendit për sfidat e ardhshme të sigurisë.
Plani vjen si një nga nismat më të mëdha të qeverisë së tij në fushën e mbrojtjes dhe pritet të jetë një nga shtyllat kryesore të politikës së sigurisë në vitet në vijim.
Sipas planit, shpenzimet për mbrojtjen në Mbretërinë e Bashkuar do të arrijnë rreth 80 miliardë funte në vit deri në vitin 2029. Objektivi afatgjatë parashikon rritjen e tyre në 3.5% të PBB-së deri në vitin 2035.
Starmer pritet ta paraqesë këtë strategji edhe në samitin e NATO-s në Ankara më 7–8 korrik, ku Britania synon të konfirmojë angazhimin e saj për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Plani përfshin investime në teknologji ushtarake, përfshirë dronë dhe sisteme autonome, krijimin e një force detare hibride dhe modernizimin e ushtrisë britanike.
Po ashtu parashikohet forcimi i aftësive bërthamore të vendit dhe zhvillimi i një programi për avionë luftarakë të gjeneratës së re për Forcën Ajrore Mbretërore.
Starmer e ka cilësuar planin si një hap të domosdoshëm për të rritur parandalimin dhe për të forcuar sigurinë kombëtare në një periudhë tensionesh globale, duke argumentuar se përgatitja ushtarake është mënyra më e mirë për të shmangur konfliktet.
Plani ka marrë mbështetje nga përfaqësues të sektorit të mbrojtjes dhe sindikatave, të cilët e kanë vlerësuar si një garanci për stabilitet dhe investime në industrinë ushtarake.
Megjithatë, kritikët e konsiderojnë planin të vonuar dhe të pamjaftueshëm për sfidat aktuale të sigurisë ndërkombëtare.


