“Michael” thyen rekorde kinemaje! Filmi biografik i Jacksonit bëhet më fitimprurësi në histori
Shtatëmbëdhjetë vite pas vdekjes së tij, emri i Michael Jackson vijon të dominojë industrinë e argëtimit. Filmi biografik “Michael” është bërë filmi me fitimet më të larta në histori, duke arkëtuar gati një miliard dollarë në kinematë botërore. Prodhimi i kushtuar “Mbretit të Popit” ka lënë pas rekordet e filmave “Oppenheimer” dhe “Bohemian Rhapsody”, duke konfirmuar se trashëgimia artistike e Michael Jackson mbetet një fenomen global.

Shtatëmbëdhjetë vite pas ndarjes nga jeta, Michael Jackson vazhdon të thyejë rekorde dhe të mbetet një nga emrat më të fuqishëm në industrinë e muzikës dhe kinemasë.
Filmi biografik “Michael”, i dedikuar jetës së legjendës së popit, është shpallur filmi biografik me fitimet më të larta të të gjitha kohërave, duke arkëtuar 977 milionë dollarë në mbarë botën.
Me këtë sukses, filmi ka lënë pas “Oppenheimer” të Christopher Nolan, i cili mbante më parë rekordin, si edhe “Bohemian Rhapsody”, që konsiderohej biografia muzikore më e suksesshme.
I drejtuar nga regjisori Antoine Fuqua, filmi sjell rrugëtimin e Michael Jackson, nga ditët e para me grupin familjar Jackson 5 deri në shndërrimin e tij në ikonën globale të muzikës.
Rolin e “Mbretit të Popit” e interpreton nipi i tij, Jaafar Jackson, ndërsa në rolet e prindërve të artistit shfaqen aktorët Colman Domingo dhe Nia Long.
Që prej premierës në muajin prill, “Michael” ka tërhequr miliona shikues dhe është kthyer në produksionin më të suksesshëm në historinë e studios Lionsgate.
Megjithatë, filmi ka ngjallur edhe debate. Një pjesë e kritikëve e kanë cilësuar atë si një portretizim të zbutur të jetës së këngëtarit, pasi nuk trajton në mënyrë të plotë akuzat për abuzim seksual që e kanë shoqëruar ndër vite.
Pavarësisht polemikave, publiku e ka pritur me entuziazëm filmin, duke dëshmuar se ndikimi i Michael Jackson mbetet i jashtëzakonshëm edhe dekada pas largimit të tij nga skena dhe jeta.


