Witkoff dhe Kushner në Katar/ Pritet raund i ri diskutimesh për konfliktin me Iranin

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe këshilltari i lartë Jared Kushner kanë mbërritur në Doha për takime me ndërmjetësit dhe zyrtarët e Katarit, në kuadër të përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve që lidhen me konfliktin me Iranin.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Katarit, dy zyrtarët amerikanë ndodhen në kryeqytet për diskutime me ndërmjetësit dhe autoritetet vendase. Bisedimet pritet të përfshijnë çështje rajonale, përfshirë negociatat me Iranin dhe situatën në Liban, por pa takime të drejtpërdrejta me palën iraniane.
Zëdhënësi i ministrisë, Majed Al Ansari, bëri të ditur se delegacioni amerikan nuk është në Doha për negociata direkte me Iranin.
Nga ana tjetër, Irani ka njoftuar se këtë javë do të dërgojë delegacione në Katar, por pa pranuar zhvillimin e takimeve me Shtetet e Bashkuara në asnjë nivel.
Sipas Teheranit, kontaktet do të kufizohen në konsultime teknike me zyrtarët katariotë, me fokus lirimin e aseteve të ngrira dhe lehtësimin e sanksioneve ndaj eksporteve të naftës.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar më herët se është planifikuar një takim në Doha mes palëve, por më vonë ka lënë të hapur mundësinë që ai të mos zhvillohet.
Situata mbetet e paqartë për zhvillimin e bisedimeve direkte mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa tensionet në Ngushticën e Hormuzit kanë mbetur të larta pas përshkallëzimeve të ditëve të fundit.


