Vapa kufizon kamionët në Kosovë/ Ndalohet qarkullimi i mjeteve mbi 20 tonë në autoudhë

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se kufizimet për qarkullimin e automjeteve të rënda do të vazhdojnë edhe nesër në autoudhët e Kosovës, për shkak të temperaturave të larta.
Sipas njoftimit zyrtar, ndalesa prek automjetet për transport të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, pasi parashikimet meteorologjike tregojnë se temperaturat pritet të arrijnë ose tejkalojnë 32 gradë Celsius.
Kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, periudhë gjatë së cilës kamionët e rëndë nuk do të lejohen të qarkullojnë në autoudhë.
Ndërkohë, për rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë masa kufizuese, pasi sipas Ministrisë nuk janë plotësuar kriteret e përcaktuara për ndërhyrje.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se do të vijojë monitorimin e situatës me temperaturat dhe do të njoftojë në kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo ndryshim të mundshëm.


