Sveçla kërkon izolimin e Serbisë: Vuçiq të marrë masa ndaj Paunoviqit, përndryshe të përballet me pasoja

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që Serbia të izolohet derisa presidenti serb Aleksandar Vuçiq të ndërmarrë masa ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj për Kosovën dhe spastrimet etnike.
Në një intervistë për A2 CNN, Sveçla e cilësoi reagimin e deritanishëm të Bashkimit Evropian si të pamjaftueshëm, duke kërkuar masa më të ashpra ndaj Beogradit.
Sipas tij, Vuçiq nuk duhet të mjaftohet vetëm me deklarata, por duhet të ndërmarrë veprime konkrete ndaj zyrtarëve që përdorin gjuhë që, sipas tij, bie ndesh me vlerat evropiane.
“Do të duhej një izolim i qeverisë së Serbisë, derisa nuk ndërmerr masa ndaj pjesëtarëve të saj për gjuhën dhe sjelljen e tyre në raport me popullin shqiptar dhe standardet evropiane”, deklaroi Sveçla.
Ai theksoi se deklaratat e zyrtarëve serbë, sipas tij, cenojnë vlerat themelore të Perëndimit dhe nuk mund të kalohen vetëm me reagime diplomatike.
“Një deklaratë se kjo gjuhë nuk është e pranueshme për Evropën nuk mjafton. Minimumi që pritet nga Vuçiq është shkarkimi i ministres dhe zyrtarëve përgjegjës, si dhe ndjekja penale”, u shpreh ministri i Brendshëm i Kosovës.
Deklaratat e Paunoviqit kanë shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe rajon, duke rikthyer debatet për retorikën politike në Serbi dhe raportet mes dy vendeve.


