DETAJE NGA ATENTATI NË SARANDË/ Dy personat qëlluan tre herë nga motori ndaj Thimjo Rubatit. Dyshimet e para për motivin e sulmit

Një atentat me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e së premtes lagjen nr. 4 të Sarandës, ku objektiv i sulmit ka qenë Thimjo Rubati, i njohur edhe me emrin Sandër Rubati.
Sipas informacioneve paraprake, dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me një motor, kanë qëlluar disa herë në drejtim të 50-vjeçarit dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Rubati ka mbetur i plagosur nga tre plumba dhe është transportuar fillimisht drejt Spitalit të Sarandës, ndërsa më pas është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore të specializuar.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur veprimet hetimore për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të sulmit.
Thimjo Rubati rezulton person i njohur për autoritetet, me precedentë penalë të lidhur me disa vepra penale, mes tyre trafikim klandestinësh, kontrabandë, armëmbajtje pa leje dhe trafik të mjeteve motorike.
Atentati ka ndodhur vetëm pak metra larg zonës ku një natë më parë u dhunua oficeri i Policisë Mihal Velço. Për këtë ngjarje dyshohet se janë përfshirë djali i Rubatit dhe dy persona të tjerë, të cilët gjithashtu rezultojnë me precedentë penalë.
Policia po heton nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën, ndërsa vijon puna për kapjen e autorëve të sulmit me armë.


