Su*met iraniane në Jordani marrin vi*timat e para amerikane/ Dy ushtarë të SHBA-së humbin jetën

Dy ushtarë amerikanë kanë humbur jetën në Jordani gjatë përballjes me sulmet e Iranit me raketa balistike dhe dronë, ka bërë të ditur Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).
Sipas deklaratës zyrtare, një tjetër ushtarak rezulton i zhdukur, ndërsa katër pjesëtarë të tjerë të shërbimit, të cilët u evakuuan për trajtim mjekësor në spitalet jordaneze, janë liruar më pas.
Këto janë viktimat e para amerikane të shkaktuara nga sulmet e drejtpërdrejta iraniane që prej fillimit të përshkallëzimit të konfliktit.
Jordania, e cila strehon trupa dhe mjete ajrore amerikane, është përballur vazhdimisht me sulme nga Irani, ndërsa tensionet janë rritur pas operacioneve ajrore amerikane kundër objektivave iraniane.
“Dy ushtarë amerikanë në Jordani u vranë në aksion, ndërsa forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së dhe partnerët e tyre po mbroheshin nga sulmet me raketa balistike dhe dronë iranianë”, thuhet në njoftimin e CENTCOM.
Komanda amerikane ka bërë të ditur se për respekt ndaj familjeve të viktimave do të mbajë të rezervuar identitetet e ushtarëve të rënë, deri në njoftimin e të afërmve të tyre.


