Kosova emëron atasheun e parë të Mbrojtjes në Belgjikë/ Bekteshi nis zyrtarisht misionin në Bruksel

Kosova emëron atasheun e parë të Mbrojtjes në Belgjikë/

Republika e Kosovës ka shënuar një tjetër hap në forcimin e pranisë së saj diplomatike dhe ushtarake në Evropë. Nënkoloneli Faton Bekteshi ka nisur zyrtarisht detyrën si Atashe i Mbrojtjes i Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, pas përfundimit të procesit të akreditimit pranë autoriteteve belge.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, e cila e cilësoi këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Kosovës dhe Belgjikës.

Shefi i Misionit të Kosovës në Bruksel, ambasadori Agron Bajrami, theksoi se akreditimi i nënkolonel Bekteshit hap një kapitull të ri në bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Ky është një hap i rëndësishëm në forcimin e partneritetit Kosovë–Belgjikë. Akreditimi i nënkolonel Faton Bekteshit si Atashe i Mbrojtjes shënon një zhvillim të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve”, deklaroi Bajrami.

Sipas Ambasadës, emërimi i atasheut do të krijojë mundësi për një dialog më të ngushtë strategjik, shkëmbim përvojash profesionale dhe zhvillimin e partneriteteve konkrete në fushën e mbrojtjes.

Gjithashtu, ky zhvillim pritet të forcojë koordinimin bilateral, të mbështesë iniciativat euroatlantike të sigurisë dhe të avancojë bashkëpunimin shumëpalësh mes dy vendeve.

Autoritetet kosovare shprehën mirënjohje për Mbretërinë e Belgjikës për mbështetjen në procesin e akreditimit, duke theksuar se ky hap hap perspektiva të reja për një partneritet edhe më të ngushtë, të bazuar në respekt reciprok, vlera të përbashkëta dhe angazhim për një Evropë më të sigurt dhe më stabile.

 

 

EMISIONET