Haliti: PDK të mos e përjashtojë marrëveshjen me LVV-në, bashkëpunimi duhet të jetë për qeverisje të plotë

Haliti: PDK të mos e përjashtojë marrëveshjen me

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka deklaruar se PDK nuk duhet ta mbyllë mundësinë e një marrëveshjeje politike me Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se një bashkëpunim i mundshëm duhet të bazohet në një program të përbashkët qeverisës dhe jo vetëm në zgjedhjen e presidentit.

Në një intervistë për KosovaPress, Haliti tha se dy partitë mund të arrijnë një marrëveshje vetëm nëse dakordohen për një qeverisje katërvjeçare.

Sipas tij, brenda PDK-së ekzistojnë qëndrime të ndryshme për një koalicion me LVV-në dhe kjo çështje duhet të diskutohet në organet e partisë.

“Ne mund të merremi vesh për presidentin, por paraprakisht duhet të merremi vesh për qeverinë, për bashkëqeverisje”, tha Haliti.

Ai theksoi se PDK dhe LVV nuk janë armiq politikë, por kundërshtarë, duke shtuar se një marrëveshje mes tyre nuk duhet të përjashtohet.

“Ne nuk jemi armiq në mes veti. Jemi kundërshtarë politikë. Nuk e besoj që bëhet, por gjithçka mund të ndodhë”, u shpreh Haliti.

Duke komentuar kundërshtimet brenda PDK-së për një bashkëpunim me Vetëvendosjen, ai përmendi edhe Sami Lushtakun, i cili ka dalë publikisht kundër një koalicioni të tillë.

Haliti tha se qëndrimi i Lushtakut duhet të merret në konsideratë, pasi ai përfaqëson një pjesë të elektoratit të PDK-së.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Haliti tha se pa një marrëveshje për qeverisje PDK-ja nuk ka detyrim të mbështesë një kandidat, por mund të marrë vendime për të shmangur bllokimin institucional.

Ai foli edhe për takimin mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti, duke thënë se nuk i di detajet e bisedimeve, por beson se Hamza ka paraqitur kushtet e partisë së tij.

“Nuk mund të ketë koalicion vetëm sepse zgjedhim një president. Duhet të ketë përgjegjësi politike dhe një projekt të përbashkët”, tha Haliti.

EMISIONET