Alarm te Spanja, Lamine Yamal stërvitet veçmas para finales me Argjentinën

Alarm te Spanja, Lamine Yamal stërvitet veçmas para finales me

Vetëm tri ditë para finales së Kupës së Botës 2026 ndaj Argjentinës, në kampin e Spanjës është ndezur një sinjal alarmi për gjendjen fizike të Lamine Yamal.

Megjithëse nga përfaqësuesja spanjolle zyrtarisht minimizojnë situatën dhe thonë se nuk ka arsye për shqetësim, ylli 19-vjeçar u paraqit në stërvitjen e parë pas gjysmëfinales me një fashë të dukshme në kofshën e majtë dhe nuk u stërvit me pjesën tjetër të ekipit.

Sipas raportimeve nga Spanja, gjendja e sulmuesit nuk konsiderohet serioze, por fakti që ai zhvilloi një program të veçantë ka shtuar dyshimet vetëm pak ditë para ndeshjes më të rëndësishme të turneut.

Yamal e përfundoi i dëmtuar lehtë gjysmëfinalen e fituar ndaj Francës, ku fitoi penalltinë që zhbllokoi takimin. Edhe në minutat e fundit të asaj sfide ai shfaqi shenja shqetësimi fizik, megjithatë arriti ta mbyllte ndeshjen në fushë.

Menjëherë pas kthimit në hotel, stafi mjekësor i kombëtares spanjolle nisi trajtimin e futbollistit, ndërsa në seancën e fundit ai u pa me fashën në kofshë dhe u stërvit veçmas.

Përveç Yamal, me grupin nuk u stërvit as mbrojtësi Pedro Porro, një nga protagonistët e gjysmëfinales.

Pavarësisht shqetësimit, në kampin spanjoll mbizotëron optimizmi se Lamine Yamal do të jetë i gatshëm për finalen e së dielës ndaj Argjentinës. Nëse aktivizohet, 19-vjeçari do të bëhet një nga futbollistët më të rinj që luan një finale të Kupës së Botës, duke ndjekur gjurmët e legjendave si Pelé dhe Kylian Mbappé.

EMISIONET