Reagime të forta pas deklaratës për Kosovën/ Serwer kërkon shkarkimin e Paunoviqit

Reagime të forta pas deklaratës për Kosovën/ Serwer

Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se nëse do të kishte qenë në vendin e Slobodan Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë, do të kishte kryer “spastrimin etnik” të saj.

Në një intervistë për televizionin N1, Serwer e cilësoi deklaratën e ministres serbe si jashtëzakonisht të rëndë dhe të papranueshme, duke theksuar se një reagim institucional nga udhëheqja e Serbisë do të duhej të ishte i menjëhershëm.

“Nëse Vuçiq do të kishte qoftë edhe një pjesë të vetme të tij që nuk pajtohej me këtë, ai do ta shkarkonte menjëherë. Është një deklaratë aq e dënueshme sa është e vështirë ta përshkruash”, deklaroi Serwer.

Sipas tij, fakti që Paunoviq vijon të mbajë postin ministror ngre pikëpyetje më të gjera për qëndrimin politik të institucioneve serbe ndaj deklaratave që lidhen me spastrimin etnik.

Deklarata e ministres serbe shkaktoi reagime të forta në Kosovë dhe jashtë saj, ndërsa institucionet kosovare e kanë shpallur atë person “non grata” dhe kanë njoftuar për hapa ligjorë.

Kritika ndaj deklaratave të saj kanë ardhur edhe nga përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

EMISIONET