Presidenti i Argjentinës nuk do ta shohë finalen e Botërorit në stadium, supersticioni e mban larg ekipit

Presidenti i Argjentinës nuk do ta shohë finalen e Botërorit

Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka konfirmuar se nuk do të jetë i pranishëm në finalen e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, pasi beson se largimi nga rituali i tij mund t’i sjellë ters kombëtares. Milei ka vendosur ta ndjekë ndeshjen e së dielës nga shtëpia e tij në Olivos, aty ku ka parë edhe shtatë ndeshjet e mëparshme të Argjentinës në këtë turne, të gjitha të fituara nga kampionët në fuqi të botës.

“Absolutisht jo”, është përgjigjur ai kur është pyetur nëse do të udhëtonte drejt Nju Xhersit për ta ndjekur finalen së bashku me aleatin e tij, presidentin amerikan Donald Trump, dhe kreun e FIFA-s, Gianni Infantino.

Në një intervistë për radion argjentinase El Observador, Milei shpjegoi se do të vazhdojë ta ndjekë ekipin nga rezidenca presidenciale, duke pranuar se vendimi lidhet edhe me supersticionin.

Presidenti argjentinas tregoi edhe një tjetër “ritual fati”: një xhaketë të trashë me logon e një kompanie nafte, të cilën ai ka vendosur ta veshë në çdo ndeshje pas një episodi të veçantë.

“Sapo e hoqa xhaketën në ndeshjen kundër Zvicrës, ata shënuan gol. E vesha përsëri dhe nuk e kam hequr më”, tregoi Milei.

Supersticionet, të njohura në Argjentinë si “cábalas”, janë një pjesë e rëndësishme e kulturës së tifozëve vendas. Shumë argjentinas besojnë se ruajtja e të njëjtës rutinë sjell fat për skuadrën e tyre.

Disa tifozë veshin të njëjtat rroba gjatë çdo ndeshjeje, disa refuzojnë të lajnë fanellat gjatë gjithë turneut, ndërsa të tjerë shikojnë çdo takim në të njëjtin vend ose shmangin fare ndjekjen e ndeshjeve, nëse besojnë se prania e tyre mund të ndikojë negativisht.

Edhe ritualet më të vogla marrin rëndësi të madhe. Një grup tifozësh u bë viral gjatë këtij Botërori pasi po lexonin Biblën në momentin kur Argjentina shënoi ndaj Egjiptit dhe më pas e përsëritën të njëjtin veprim në ndeshjet pasuese.

Një tjetër praktikë supersticioze është ngrirja e figurave të lojtarëve kundërshtarë ose e letrave me emrat e rivalëve, me besimin se kjo mund të ndikojë në rezultatin e ndeshjes.

Frika nga “tersi” ka prekur prej vitesh edhe presidentët argjentinas. Tradita lidhet me Botërorin e vitit 1990, kur presidenti i atëhershëm Carlos Menem vizitoi kombëtaren pak para humbjes së papritur ndaj Kamerunit në ndeshjen hapëse. Që nga ajo kohë, ai u etiketua nga tifozët si “mufa”, një person që sjell fat të keq.

Për këtë arsye, asnjë president argjentinas në detyrë nuk ka marrë pjesë më në ndeshje të rëndësishme të kombëtares në Kupën e Botës. Javier Milei duket se po ndjek të njëjtën rrugë, duke besuar se qëndrimi në shtëpi mund të ndihmojë Argjentinën të fitojë trofeun e dytë radhazi botëror.

EMISIONET