Kosova dhe SHBA thellojnë partneritetin ushtarak/ FSK pjesë e konferencës së USAFE

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në konferencën “European Partnership Flight”, të organizuar nga Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara për Evropë (USAFE).
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bëri të ditur se aktiviteti kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e aviacionit ushtarak.
Gjatë konferencës u zhvilluan ligjërata profesionale, diskutime tematike dhe punë në grupe, ku përfaqësuesit e vendeve partnere ndanë përvoja, praktika të mira dhe ekspertizë për operacionet ajrore dhe zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Në kuadër të aktivitetit, pjesëmarrësit vizituan edhe Bazën Ajrore të Kuçovës në Shqipëri, ku u njohën me kapacitetet dhe zhvillimet e kësaj infrastrukture të rëndësishme ushtarake.
Maqedonci vlerësoi se pjesëmarrja e FSK-së në këtë konferencë tregon angazhimin për ngritjen e profesionalizmit, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë.
Sipas tij, këto aktivitete ndihmojnë në ndërtimin e një force moderne dhe të aftë për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.


