Kriza e popullsisë thellohet në Maqedoni/ IOM: Rrezikohet e ardhmja demografike

Maqedonia e Veriut po përballet me një krizë të thellë demografike, ku rënia e lindshmërisë dhe largimi i të rinjve po ndikojnë në strukturën e popullsisë.
Sipas Raportit Botëror të Migracionit 2026 të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), vendi renditet ndër shtetet më të prekura në Evropë, me një shkallë lindshmërie nën nivelin e zëvendësimit të brezave.
Raporti thekson se emigrimi i popullsisë në moshë riprodhuese e përkeqëson më tej situatën, pasi largimi i të rinjve zvogëlon potencialin demografik të vendit për dekadat e ardhshme.
Analiza e të dhënave për periudhën 2005-2024 tregon se shumë vende të Evropës Lindore dhe Ballkanit kanë pësuar rënie të ndjeshme të popullsisë, ndryshe nga disa shtete evropiane që kanë regjistruar rritje.
Ekspertët paralajmërojnë se pa politika konkrete për nxitjen e lindshmërisë dhe frenimin e emigrimit të fuqisë së re punëtore, kjo prirje negative mund të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.


