Franca kërkon trofeun e fundit për Mbappen, Andi Xhihani zbulon synimin e “finales së vogël”

I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit” në Ora News, analisti sportiv Andi Xhihani ka komentuar përballjen për vendin e tretë në Kupën e Botës, një ndeshje që vjen pas zhgënjimit të dy skuadrave që humbën mundësinë për të luajtur finalen e madhe.

Sipas Xhihanit, kjo sfidë mund të jetë një nga ndeshjet më të bukura të turneut, pasi ekipet zbresin në fushë pa presionin e madh të finales dhe me më shumë liri në lojë.

“Finalja e vogël ose finalja e humbësve të mëdhenj, për mendimin tim. Patjetër që do të jetë një ndeshje e bukur. Janë të çliruar nga emocionet, kanë humbur finalen të dyja skuadrat, kështu që do luajnë lirshëm”, u shpreh Xhihani gjatë emisionit.

Në fokusin e analizës ishte kombëtarja franceze, e cila pas eliminimit nga gara për titull pritet të ketë një objektiv tjetër: të ndihmojë Kylian Mbappen të mbyllë turneun si golashënuesi më i mirë.

“Mendoj që Franca do mundohet të luajë për Mbappen që të dalë golashënuesi më i mirë i këtij Botërori, të paktën të marrë një trofe, sepse ishte skuadra më e kuotuar nga shumica e njerëzve jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga specialistët nëpër botë”, tha analisti sportiv.

Franca konsiderohej një nga favoritët kryesorë të turneut, por nuk arriti të siguronte vendin në finalen e madhe. Sipas Xhihanit, arsyet e këtij dështimi janë të shumta dhe janë analizuar gjatë, ndërsa sfida për vendin e tretë mbetet një mundësi për skuadrën franceze që ta mbyllë Botërorin me një paraqitje pozitive.

“Ne e kemi analizuar këtu bashkë që Franca e humbi këtë mundësi për arsye të ndryshme. Do të jetë një ndeshje e bukur për t’u parë dhe për t’u shijuar”, përfundoi Xhihani.

 

EMISIONET