"Spanja shkatërroi pritshmëritë"/ Rrajta: Sulmi i Francës nuk ishte më i frikshëm, të bënte për të qeshur
I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit” në Ora News, gazetari sportiv Nikoll Rrajta ka analizuar një nga surprizat më të mëdha të këtij Botërori, përballjen mes Spanjës dhe Francës, ku skuadra iberike arriti të dominonte ndaj një prej ekipeve më të vlerësuara të turneut.
Sipas Rrajtes, bukuria e futbollit qëndron pikërisht te rezultatet e papritura dhe te momentet kur skuadrat që konsiderohen favorite nuk arrijnë të tregojnë nivelin e pritur.
“Kjo është e bukura e Botërorit. Ka surpriza, surpriza atëherë kur nuk e pret, ka surpriza në minutat e fundit”, u shpreh gazetari gjatë diskutimit në studio.
Spanja zhvilloi një paraqitje të plotë në çdo aspekt të lojës, duke neutralizuar forcën kryesore të Francës, sulmin e saj të shumëpërfolur.
“Pamë një Spanjë që ishte dominuese në çdo aspekt përballë Francës. Një Francë e cila kishte sulmin më të frikshëm deri në momentin që u përball me Spanjën. Dhe ai sulm jo që nuk ishte i frikshëm, por ndoshta të bënte edhe për të qeshur”, tha Rrajta.
Gazetari vlerësoi edhe punën e trajnerit spanjoll Luis de la Fuente, i cili sipas tij kishte përgatitur një plan të qartë për të ndalur yjet francezë dhe për të kontrolluar ritmin e ndeshjes.
“Luis de la Fuente kishte hyrë në fushë me ide të qarta. Kishte zbritur lojtarët në fushë me një strategji të menduar mirë”, u shpreh Rrajta.
Fitorja e Spanjës ndaj Francës tregoi edhe një herë se në Botëror nuk mjaftojnë vetëm emrat e mëdhenj, pasi organizimi, taktika dhe forma e ditës mund të ndryshojnë gjithçka brenda 90 minutave.


