Merz paralajmëron administratën Trump: Mos ndërhyni në zgjedhjet gjermane

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar administratën e presidentit amerikan Donald Trump të mos ndërhyjë në zgjedhjet federale që Gjermania do të zhvillojë në shtator.
Merz kujtoi se financimi i partive politike nga jashtë është i ndaluar me ligj në Gjermani dhe shprehu pritshmërinë që partnerët ndërkombëtarë të respektojnë këtë rregull.
Reagimi i tij vjen pasi Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli një program grantesh me vlerë afro 5 milionë dollarë për mbështetjen e projekteve që synojnë forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe të drejtave të njeriut në Evropë.
Sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit, projektet duhet të trajtojnë çështje si sovraniteti kombëtar, migracioni, censura dhe sundimi i ligjit, në përputhje me një filozofi të përbashkët politike dhe trashëgiminë qytetëruese perëndimore.
Merz u shpreh se Gjermania nuk ndërhyn në zgjedhjet amerikane dhe pret të njëjtën qasje edhe nga Shtetet e Bashkuara ndaj procesit zgjedhor gjerman.
Pas deklaratave të kancelarit, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Politico se administrata Trump mbetet e angazhuar në mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Evropë. Sipas tij, fondet synojnë të ndihmojnë aleatët evropianë të mbrojnë këto vlera, si edhe sovranitetin e tyre përballë përpjekjeve për t'i minuar ato.


