Opozita serbe kërkon shkarkimin e ministres Paunoviç pas deklaratës për “spastrimin etnik” të Kosovës

Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), parti opozitare në Serbi, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, pas deklaratës së saj se, po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviçit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.
Në reagimin e saj, PSG e cilësoi deklaratën si gjuhë të urrejtjes dhe një mbështetje të hapur për persekutimin mbi baza etnike.
Sipas kësaj partie, “një zyrtare që justifikon dëbimin e njerëzve për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare nuk mund të ushtrojë funksion në Qeverinë e Serbisë. PSG vlerëson se deklarata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se vjen nga ministrja përgjegjëse për administratën shtetërore dhe vetëqeverisjen lokale, institucion që duhet të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët dhe zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve”.
Partia opozitare ngriti po ashtu çështjen e përgjegjësisë së mundshme penale të ministres, duke iu referuar nenit 317 të Kodit Penal të Serbisë, i cili ndalon nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës mbi baza kombëtare, racore apo fetare.
PSG kërkoi nga prokuroria kompetente të shqyrtojë nëse deklaratat e Paunoviq përmbajnë elemente të kësaj vepre penale.
Snezhana Paunoviç është anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 1992, ndërsa nga viti 2024 mban postin e nënkryetares së kësaj partie.
Ajo është deputete që nga viti 2013 dhe në dy mandate ka ushtruar detyrën e nënkryetares së Kuvendit të Serbisë.
Deklaratat e saj kanë nxitur reagime edhe në Kosovë.

