Nisma “Ballkani i Hapur”/ Kraki: Shqipëria po i ofron Serbisë “mburojë” duke mënjanuar Kosovën

Nisma “Ballkani i Hapur”/ Kraki: Shqipëria po i ofron

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, lektori Nezir Kraki, ka komentuar takimin e krerëve të Shqiëprisë, Serbisë dhe Maqedonisë në Forumin Ekonomik në Shkup.

Ai është shprehur se me këtë projekt Shqipëria po i ofron një ‘mburojë’ Serbisë, teksa shton se kjo e fundit ka pasur gjithmonë synim që të krijojë afrimitet me vendin tonë.

Më tej ai thotë se nga kjo nismë, Shqipëria nuk fiton asgjë, teksa thekson se synimet e Serbisë shihen nga Prishtina dhe jo nga Tirana.

"Me këtë projekt, Shqipëria, po a ofron Serbisë një lloj mburoje, amnistie. Duke u shoqëruar me Shqipërinë, Serbia po i tregon botës se është e normalizuar. Serbia ka pasur që qëllim që ta eklipsojë në njëfarë mënyre Kosovën si çështje. Pyetja që duhet të shtrojë çdo qytetar është se çfarë fiton konkretisht Shqipëria nga kjo iniciativë?

Për mendimin tim Shqipëria nuk fiton asgjë me këtë nismë. Në çdo kontratë duhet të shihet se çfarë fiton se cila palë. Kryeministri Rama tenton t’ju shesë shqiptarëve sapunin për djathë. Nuk kanë shqiptarët pengesë të udhëtojnë në Ballkan. Nuk ka Shqipëria fuqi ekonomike që të implantohet në tregun shumë më të fuqishëm serb. Shqipëria nuk është vend industrial, nuk prodhon diçka që u mungon vendeve tjera në Ballkan. Nuk eksporton.

Mali I Zi Bosnja dhe Kosova kanë të drejtë në qëndrimin e tyre, sidomos Kosova. Kosova ka historik tjetër të marrëdhënieve me Serbinë. Serbët janë ende me në atë ëndrrën. Serbët janë në raport tjetër me Shqipërinë dhe këtë raport e kanë synuar gjithmonë. Kosova ka tjetër historik me ta, Kosova e njeh Serbinë. Serbia nuk kuptohet në Tiranë, por në Prishtinë. Synimet e Serbisë kuptohen vetëm nga Kosova, dhe sidomos nga shqiptarët  e Kosovës. Ballkani i Hapur propozohet si një alternativë karshi integrimit Evropian dhe në njëfarë forme zyrtarizohet dorëheqja e Shqipërisë, Maqedonisë apo Serbisë nga synimi për Integrim. "

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Anila Kolgjini. 

EMISIONET