Shpërdorimi i detyrës ishte vepra penale “më në modë” e zyrtarëve shtetërorë në 2025

Shpërdorimi i detyrës ishte vepra penale “më në

Shpërdorimi i detyrës vijon të mbetet vepra penale dominuese mes krimeve të kryera nga punonjësit shtetërorë dhe personat në shërbim publik. Të dhënat e raportit të Prokurorit të Përgjithshëm për vitin 2025 tregojnë se procedimet për “Shpërdorim detyre” janë rritur me 16,43% krahasuar me vitin 2024 dhe zënë 91,01% të të gjitha procedimeve të këtij grupi veprash penale.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 është regjistruar një rritje e përgjithshme prej 11,22% e procedimeve për vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga punonjës shtetërorë ose në shërbim publik. Në të njëjtën kohë, procedimet e dërguara në gjykatë janë rritur me 21,52%.

Raporti evidenton gjithashtu një rritje të fortë të numrit të të pandehurve që janë dërguar në gjykatë. Sipas të dhënave, ky tregues është rritur me 85,52% krahasuar me vitin 2024, ndërsa numri i të dënuarve nga gjykata është rritur me 60,44%.

Krimet e kryera nga zyrtarët publikë përbënin 2,01% të të gjitha procedimeve penale të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2025, nga 1,97% që ishte kjo peshë një vit më parë. Koeficienti i kriminalitetit për 100 mijë banorë u rrit nga 20,40 në vitin 2024 në 23,06 në vitin 2025.

Pas “Shpërdorimit të detyrës”, vepra tjetër më e përhapur është “Kryerja e veprimeve arbitrare”, e cila zë 6,42% të procedimeve të këtij grupi. Megjithatë, procedimet për këtë vepër kanë pësuar ulje me 10,26% gjatë vitit 2025.

Në rënie të fortë rezultojnë edhe procedimet për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurive nga zyrtarët publikë. Sipas raportit, numri i procedimeve për këtë vepër penale ka rënë nga 17 raste në vitin 2024 në vetëm 7 procedime në vitin 2025. Kjo kategori zë vetëm 1,28% të procedimeve të grupit, nga 3,47% që ishte një vit më parë.

Profili i të pandehurve tregon se shumica janë burra dhe me arsim të lartë. Sipas të dhënave, 85,22% e të pandehurve janë meshkuj dhe 14,78% femra. Plot 75,57% e tyre rezultojnë me arsim të lartë, ndërsa 89,92% janë nëpunës të thjeshtë të administratës.

Raporti evidenton gjithashtu se 90,99% e të pandehurve jetojnë në qytet dhe 97,43% nuk kanë qenë të dënuar më parë.

Sa i përket politikës penale, prokurorët kanë kërkuar masë sigurimi me arrest për 27,63% të rasteve, ndërsa gjykatat kanë vendosur arrest në 23,29% të kërkesave.

Në lidhje me dënimet, në 97,31% të rasteve prokurorët kanë kërkuar burg dhe vetëm në 2,69% gjobë. Nga ana tjetër, gjykatat kanë dhënë dënim me burg në 99,32% të rasteve. Megjithatë, raporti tregon se për 25,33% të të pandehurve gjykatat kanë vendosur pafajësi.

Në shumicën e rasteve është aplikuar pezullimi i dënimit dhe vendosja në provë. Kjo masë është vendosur për 82,76% të të pandehurve./ekofin.al

EMISIONET