Protestuesit marshuan drejt Rinasit, Rama: Marshim qorrazi, të zgjohen nga ky jerm që janë
Kryeministi Edi Rama ka reaguar pas situatës së djeshme, ku qindra protestues marshuan drejt saj, por u ndaluan nga policia. Përmes një reagimi në rrjetoin social X, Rama e cilësoi atë si një marshim "qorrazi", ndërsa u bëri thirrje të zgjaohen nga ky "jerm".
Sipas tij, protesta nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin a me Zvërnecin, sepse i gjithë dokumentacioni i procesit dhe e gjithë qasja e dokumentuar qeverisë, tregojnë se qeveria është me interesit publik e të standarteve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
Ai shtoi se kjo protestë po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe te pasigurtë për turistët. Sipas tij, anullimet e rezervimeve të hoteleve dhe bllokimet e rrugëve paralajmërojnë një sezon jo pozitiv ekonomikisht.
Postim i i kryeministrit Rama:
Protestuesit janë të lirë të protestojnë paqësisht për çfarë të duan, si të duan e deri kur të duan, por pa dashur t’ju bëj moral nuk kam se si mos t’u them:
1. Kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin a me Zvërnecin, sepse i gjithë dokumentacioni i procesit dhe e gjithë qasja e dokumentuar qeverisë, tregojnë qartë që qeveria është në lartësinë e interesit publik e të standarteve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
2. Kjo protestë po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe te pasigurtë për turistët. Anullimet e rezervimeve të hoteleve dhe bllokimet e rrugëve paralajmërojnë një sezon jo pozitiv ekonomikisht, për shumë e shumë familje e njerëz që kanë lidhje direkte apo indirekte me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit.
3. Kjo protestë që arrin e degradon në një turmë të drejtuar nga mendje të liga dhe duar të këqia drejt rrugës së aeroportit, duke bllokuar natën në rrugë mijëra njerëz në lëvizjen e tyre të lirë, ka brenda saj pikërisht atë të keqen e madhe të ekstremizmit që frymëzon bullizimin online dhe prishjen me pahir të ritmit të jetës së shumicës.
4. Keqardhje për të rejat e të rinjtë e zhgënjyer nga marshimi qorrazi drejt Rinasit me shijen e lirisë e të pavarësisë së tyre dhe në emër të një revolucioni imagjinar, derisa e kuptuan edhe vetë se çfarë budallallëku kishin bërë duke i shkuar mbrapa skuthave të infiltruar nga forcat destruktive, brenda a jashtë, të cilat po bëjnë çmos për ta dëmtuar sa më shumë Shqipërinë. Uroj që të zgjohen sa më parë nga ky jerm dhe të shkëputen një orë e më parë nga mendjet e liga dhe duart e këqia që tanimë e kanë marrë në kontroll protestën.
5. Kjo protestë ka ekzaltuar edhe shumë personazhe me një emër të dëgjuar në mexhelisin e jetës publike. Me mendjet e tyre të cekëta ata i janë bashkuar asaj me mënyra të ndryshme, në bulevard apo në kanalet sociale e mediatike, me idenë se deti u bë kos, qeveria po mbytet, një orë e re erdhi për lugët në brezat e tyre. Por nëse ka përfitues të vërtetë nga kjo protestë, ata janë vetëm dy: Qeveria Shqiptare, e cila do të nxjerrë patjetër mësimet që i duhen nga pjesa e çiltër e protestës, duke adresuar si duhet shqetësimet legjitime të asaj pjese dhe Partia Socialiste, e cila kur të shpërndahet mjegulla do t’i zhgënjejë rëndë të gjithë kundërshtarët e saj, duke u shfaqur më e madhe dhe më e fortë në qendër të skenës politike të Shqipërisë.
Protestuesit janë të lirë të protestojnë paqësisht për çfarë të duan, si të duan e deri kur të duan, por pa dashur t’ju bëj moral nuk kam se si mos t’u them:
— Edi Rama (@ediramaal) June 15, 2026
1. Kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin a me Zvërnecin, sepse i gjithë dokumentacioni i procesit dhe e gjithë…

