“Mos harro Çamërinë”/ Nis në Tiranë Java Çame në përkujtim të 82-vjetorit të gjenocidit

Me moton “Mos harro Çamërinë!”, në Tiranë ka nisur Java Çame, një aktivitet i organizuar nga Shoqata patriotike “Çamëria” në kuadër të përkujtimit të 82-vjetorit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamëria.
Përfaqësues të komunitetit çam theksuan se plagët e masakrave të viteve 1944-1945 mbeten ende të gjalla në kujtesën e të mbijetuarve dhe pasardhësve të tyre. Ata u bënë thirrje institucioneve shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar të ndërhyjnë për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë për çështjen çame.
Sipas të dhënave historike, nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë u dëbuan me forcë nga trojet e tyre, ndërsa shumë të tjerë humbën jetën gjatë operacioneve të kryera nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës.
Pronat e tyre u konfiskuan, ndërsa dhjetëra fshatra u shkatërruan.

