Merr fund arratia e "bosit" shqiptar në Mançester/ Pas sekuestrimit të mln € dhe 25 kg narkotikë, arrestohet kreu i bandës italo-shqiptare të dr*gës

Arratisja e personit të konsideruar nga autoritetet italiane si drejtuesi i një organizate kriminale italo-shqiptare ka marrë fund në Mançester të Mbretërisë së Bashkuar.
Ai u arrestua nga njësitë speciale të policisë britanike pas një hetimi të koordinuar me autoritetet italiane dhe aktualisht ndodhet në burg në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Italisë.
Arrestimi vjen disa muaj pas një operacioni të gjerë të zhvilluar nga Guardia di Finanza e Bergamos, i cili çoi në goditjen e një grupi kriminal që vepronte në disa rajone të Italisë, përfshirë Lombardinë, Emilia-Romagnën, Toskanën, Lazion dhe Kalabrinë.
Sipas hetimeve, organizata dyshohet se ishte e përfshirë në trafik droge, grabitje, vjedhje në banesa, shfrytëzim prostitucioni, zhvatje, tregtim mallrash të vjedhura, mashtrime dhe armëmbajtje pa leje.
Më herët, gjatë operacionit në Itali, u arrestuan 12 persona dhe u sekuestruan pasuri me vlerë rreth 1.2 milionë euro. Hetuesit gjetën gjithashtu rreth 500 mijë euro para në dorë të fshehura në vende të posaçme brenda automjeteve të përdorura nga grupi.
Në kuadër të të njëjtit hetim u sekuestruan edhe 25 kilogramë kokainë dhe hashash, si dhe një automjet luksoz Mercedes Limousine me vlerë rreth 200 mijë euro, i cili dyshohet se përdorej për aktivitetet e lidhura me prostitucionin.
Hetimi kishte nisur fillimisht nga kontrolli i disa kompanive të makinave me qira në zonën e Bergamos. Verifikimet zbuluan se automjetet jepeshin shpesh pa dokumentacion të rregullt dhe përdoreshin nga persona me precedentë penalë, kryesisht me origjinë shqiptare. Sipas autoriteteve, në shumë raste nuk hartoheshin kontrata, duke e bërë të vështirë identifikimin e përdoruesve realë të mjeteve.
Me arrestimin e fundit në Mançester, autoritetet italiane e konsiderojnë të plotësuar operacionin e nisur në vitin 2025 kundër kësaj organizate kriminale.


