KQZ vulos rezultatin zgjedhor në Kosovë/ Vetëvendosja kryeson me 53 mandate në Kuvend

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, duke konfirmuar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje me 53 mandate në Kuvend.
Sipas rezultateve të certifikuara, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka siguruar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 18 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shtatë ulëse.
Pas këtij vendimi nis edhe procesi për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja. Kryeparlamentarja dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, duhet të thërrasë seancën konstituive, e cila sipas Kushtetutës duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve.
Në këtë seancë do të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, ndërsa më pas partia fituese do të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re.
Vetëvendosjes i duhen 61 vota për krijimin e shumicës parlamentare. Me mbështetjen e mundshme të deputetëve nga komunitetet joserbe, procesi për formimin e qeverisë nuk pritet të hasë pengesa të mëdha.
Sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës. Për këtë proces kërkohet një shumicë e cilësuar votash, ndërsa mungesa e një marrëveshjeje politike mund të çojë në krizë institucionale.
Sipas Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit. Nëse kjo nuk arrihet, Kuvendi shpërndahet dhe vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
Ndërkohë, partitë politike kanë nisur përgatitjet për negociata, ndërsa Vetëvendosje ka deklaruar se synon të sigurojë mbështetjen e nevojshme për funksionimin e institucioneve të reja./REL



