SHTËPIA E HARRUAR E FAIK KONICËS! Kërkohet restaurimi dhe kthimi në Muze i banesës në Konicë të Greqisë
Shtëpia ku lindi Faik Konica, në Konicë të Greqisë, ndodhet në gjendje të rrënuar dhe të braktisur, mes thirrjeve për ta shpëtuar nga harresa. Një nga filantropët që mundësuan kthimin e eshtrave të Konicës në Shqipëri kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve shqiptare për ta restauruar dhe shndërruar në muze, me mbështetjen financiare të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Kjo është shtëpia ku lindi Faik Bej Konica, në fshatin Konicë, që sot ndodhet në territorin e Greqisë.
Në vendlindjen e një prej figurave më të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, sot mbizotërojnë rrënojat, shkurret dhe harresa.
Banesa është tërësisht e dëmtuar, e braktisur dhe në prag të shembjes.
Beqir Potka, një nga 17 filantropët shqiptarë që kontribuoi në rikthimin e eshtrave të Faik Konicës në atdhe, e cilëson gjendjen të dhimbshme dhe kërkon ndërhyrje për shpëtimin e saj.
Sipas tij, institucionet shqiptare duhet të nisin negociatat me autoritetet greke që kjo godinë të restaurohet e të kthehet në muze, ndërsa financimi mund të sigurohet nga komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Mbetet për t'u parë nëse kjo shtëpi do të vazhdojë të mbetet një rrënojë e harruar, apo do të restaurohet për t'u shndërruar në një muze që ruan dhe nderon trashëgiminë e një prej figurave më të mëdha të historisë shqiptare.

