STRASBURGU nxin Gjykatën Kushtetuese! Të paaftë dhe injorues

STRASBURGU nxin Gjykatën Kushtetuese! Të paaftë dhe injorues

Raporti zyrtar i Avokaturës së Shtetit për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) gjatë vitit 2025, i dorëzuar pranë Kuvendit të Shqipërisë, nxin Gjykatën Kushtetuese.

Gjetjet e Strasburgut vënë gishtin në shkeljet e përsëritura të Gjykatës Kushtetuese duke theksuar injorimin që u është bërë rekomandimeve.

Ja çfarë evidentohet në gjetjet e Strasburgut për Gjykatën Kushtetuese:

Mohimi i aksesit në Gjykatën Kushtetuese

Raporti vë gishtin mbi një tjetër shkelje të konsoliduar e të përsëritur: llogaritjen e gabuar të afatit kohor 4-mujor për paraqitjen e ankesave nga Gjykata Kushtetuese.

Vendimet e vitit 2025 si "Ibrahimi dhe të tjerë", "Ilia", dhe "Fortuzi" konfirmojnë se qytetarëve shqiptarë u mohohet në mënyrë të padrejtë aksesi në shkallën më të lartë të gjykimit kushtetues.

Injorimi i rekomandimeve: Avokatura e Shtetit zbulon se ka rekomanduar që këto çështje të zgjidhen me pajtim për të shmangur dënimet nga Strasburgu, duke kërkuar që Gjykata Kushtetuese të rishikojë praktikën e saj. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka zgjedhur të mos mbajë asnjë qëndrim, duke sjellë si pasojë vijimin e ndëshkimeve nga GJEDNJ për Shqipërinë.

Gjykatat që "fshehin" arsyetimin e vendimeve

Një tjetër pikë kritike e ngritur nga GJEDNJ është praktika e gjykatave kombëtare për të rrëzuar ankesat e qytetarëve pa dhënë asnjë arsyetim të plotë adekuat, duke u mjaftuar me formula sterile ose thjesht duke paraqitur rezultatin e votimit.

Rasti "Frroku": GJEDNJ konstatoi shkelje të Nenit 6 për shkak se Gjykata Kushtetuese e la kërkuesin pa asnjë arsyetim mbi themelin e çështjes, duke u kufizuar vetëm te votat pro dhe kundër.

Cenimi i paanshmërisë gjyqësore dhe konflikti i interesit

Raporti nxjerr në pah raste flagrante të mungesës së paanshmërisë strukturore dhe procedurale në trupat gjykuese.

Rasti "Kroi & Noçka": Tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët më parë kishin gjykuar të njëjtën çështje kur ishin pjesë e Gjykatës së Lartë, nuk pranuan të tërhiqeshin nga shqyrtimi i kërkesës kushtetuese. Vendimi i marrë nga kjo trupë e paplotë (për shkak të vakancave të paplotësuara në Kushtetuese) përfundoi me vota të barabarta 3 me 3, duke krijuar hije të forta dyshimi mbi paanshmërinë e procesit.

Përballë këtij kuadri kritik, Avokatura e Shtetit u ka përcjellë thirrje zyrtare institucioneve kyçe si KLGJ, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese dhe Shkolla e Magjistraturës që të ndryshojnë urgjentisht praktikën e tyre./ CNA

EMISIONET