Veliaj skenarë me Kushtetuesen/ Autori kërkon të kthehet në vendin e krimit

Me një kërkesë totalisht joligjore dhe që nuk e njeh Kodi i Procedurës Penale, kryebashkiaku i Tiranës, i cili mbahet në burg për 13 akuza të rënda penale, i është drejtuar Gjykatës së Lartë duke kërkuar përshpejtimin e gjykimit të tij.
“Kërkesa për përshpejtim nuk mbështetet në një interes abstrakt për shqyrtim të shpejtë, por në pasoja konkrete dhe të përditshme mbi lirinë personale, mbi ushtrimin e mandatit të fituar me votë dhe mbi funksionimin e qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës”, thuhet në kërkesë.
Në fakt, Veliaj nuk është në burg për qejf, por sepse ai në detyrën e kryebashkiakut u kap gjatë hetimeve duke prishur provat dhe në karrige ai firmoste që paratë e taksave të qytetarëve të Tiranës të kalonin për bashkëshorten e tij dhe familjarët e saj. Pa folur më pas për sulmet kriminale ndaj drejtësisë dhe lobimet me mashtrime.
Më tej, në kërkesën e Veliajt shkruhet se çdo vonesë në rigjykim sjell pasoja të pakthyeshme për ushtrimin e mandatit të tij si kryebashkiak.
“Çdo vonesë në rigjykim nuk është, për rrjedhojë, thjesht vonesë procedurale; ajo konsumon vetë kohën e mandatit dhe e bën gjithnjë e më të pakthyeshme pasojën që masa e sigurimit ka prodhuar mbi ushtrimin e funksionit publik, si dhe të pazbatueshëm efektivisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, edhe një vendim eventualisht pozitiv i Gjykatës së Lartë, nëse jepet pasi koha reale e mandatit të jetë konsumuar në mënyrë të konsiderueshme ose pranë përfundimit, do të rrezikonte të mbetej pa efekt praktik, pasi nuk do të mund të rikthente në mënyrë reale periudhën e humbur të ushtrimit të mandatit, as të riparonte pasojën institucionale të krijuar nga pamundësimi faktik i funksionit të Kryetarit të Bashkisë dhe as cenimin e së drejtës së qytetarëve dhe zgjedhësve për t’u qeverisur nga përfaqësuesi i zgjedhur prej tyre”, vijon kërkesa.
Këtu qartazi Erion Veliaj i thotë Gjykatës së Lartë, dua vendim pozitiv dhe në rast se nuk ma jepni unë i drejtohem sërish Gjykatës Kushtetuese, ku “4 fantastikët”, mund të bëhen pesë në rast se Ilir Toskës i mbushet thesi i mendjes dhe bashkohet me ta.
Veliaj në këtë kërkesë joligjore për përshpejtim, së pari zbulon strategjinë e tij duke i bërë presion Gjykatës së Lartë ta nxjerrë shpejt ose në të kundërt do të përdorë Kushtetuesen për të shkuar në zyrë.
Së dyti, thotë se halli i tij është të shkojë në zyrë, jo liria personale, pikërisht aty ku firmoste fondet për gruan dhe ngrinte skemat e prishjes së provave me Klotilda Bushkën.
Së treti, skema zbulon se Veliaj kërkon të shkojë me çdo kusht në zyrë përpara pranverës dhe mbarimit të mandatit, pra nuk ka hall lirinë personale të shkojë te gruaja dhe fëmijët, por detyrën, pikërisht aty ku ka shkelur ligjin dhe ka konsumuar 13 vepra penale.
Zgjidhja është zyra, ndaj dhe Veliaj kërcen sa në Gjykatë të Lartë aq edhe në Kushtetuese duke i treguar drejtësisë se autori kërkon të kthehet me çdo kusht në vendin e krimit.
/ Marrë nga CNA.al


