Erion Veliaj, presion Gjykatës së Lartë

Erion Veliaj, presion Gjykatës së Lartë

Duket absurde, por ndodh. Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës me 13 akuza për 5 vepra të rënda penale, Erion Veliaj ka dërguar këtë të mërkurë në Gjykatën e Lartë një kërkesë ku kërkon përshpejtim të procesit të rigjykimit, pasi Gjykata Kushtetuese e urdhëroi Gjykatën e Lartë të kopsiste arsyet pse Erion Veliaj duhet të qëndrojë në burg.

Veliaj thotë se zvarritja e procesit të rigjykimit ka pasoja për ushtrimin e detyrës së tij si kryebashkiak.

Në fakt ky është një presion ndaj Gjykatës së Lartë pasi përdoret një argumentim ligjor që nuk ekziston. Pra ligji nuk e njeh këtë lloj përshpejtimi që kërkon Erion Veliaj dhe i pandehuri tjetër i SPAK-ut Plarent Ndreca në Gjykatën e Lartë.  

Veliaj në kërkesën e tij thekson se Gykata e Lartë, nuk duhet t'ja vonojë vendimin pozitiv që do japi, sepse atëherë ai nuk mund të shkojë në zyrë. 

Ky është qartazi një presion ndaj Gjykatës së Lartë që ta lirojë, ku e di Erion Veliaj që vendimi do jetë pozitiv, kur bën një kërkesë pa bazë ligjore?! 

Gjykata e Lartë i ka të gjitha faktet dhe provat, dhe disa herë është shprehur me vendimet e saj pse duhet të qëndrojë Erjon Veliaj në burg dhe asgjë tjetër më shumë sesa kaq.

Tashmë duhet edhe ta shkruajë dhe ta zbardhë dhe t'ia argumentoj për t'ia treguar “katërshes fantastike” të Gjykatës Kushtetuese pse Erion Veliaj është në burg.

Veliaj nuk ka shkuar në asnjë seancë gjyqësore në GJKKO, për tu përballur me faktet dhe provat të shkruara e zeza mbi të bardhë në mbi 60 mijë faqe, materiale të cilat Erion Veliaj i ka marrë në të gjitha mënyrat, me USB dhe të shkruara.

Si një frikacak, që nga skutat e qelisë së burgut në Durrës përgatit skenare sulmesh ndaj drejtësisë, prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë dalë në përgjimet e publikuara nga CNA, ashtu siç janë parë dhe në mediat e paguar prej tij dhe vëllait të tij, në raporte për të cilat është lobuar me qindra mijëra dollarë për të sulmuar drejtësinë, SPAK, prokurorët dhe gjyqtarët, Erion Veliaj ka vendosur që të mos gjykohet.

Para çdo seance në Gjykatën e Posaçme përdor strategji dhe alibi të ndryshme për të zvarritur proceset gjyqësore. CNA i ka treguar përmes shkrimeve teknikat që Veliaj ka përdorur për të zvarritur gjyqet, që nisin që nga sëmundjet, ndryshimi i avokatëve, lindjet, kafazi i xhamit, etj.

Strategjia e mbrojtjes së Veliajt ka qenë e larmishme dhe sistematike me skema dhe skenarë që nuk ndalen, por në fakt ato tregojnë se zvarritja e procesit është një strategji, ndoshta dhe frikë, pasi Veliaj dhe avokatët e dinë mirë çfarë provash kanë në dosje.

Tani shpikin dhe kërkesa jo ligjore, por drejtësia nuk është propagandë, as letra që i pandehuri Plarent Ndreca i bën për tu paguar majmërisht./ Marrë nga CNA.al

EMISIONET