Kosova në tryezën e zgjerimit të BE-së/ Merr pjesë për herë të parë si vend kandidat në sesionin plenar të KESE-së

Kosova në tryezën e zgjerimit të BE-së/ Merr pjesë

Kosova ka marrë pjesë për herë të parë si Anëtare Kandidate për Zgjerim në Sesionin Plenar të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (KESE), në kuadër të tryezës së nivelit të lartë për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Takimi u zhvillua në ndërtesën “Charlemagne” të Komisionit Evropian, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve evropiane dhe vendeve të përfshira në procesin e zgjerimit.

Në sesionin hapës folën presidenti i KESE-së, Séamus Boland, dhe Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila theksoi se procesi i zgjerimit të BE-së nuk është vetëm një çështje reformash teknike, por një transformim që forcon demokracinë, institucionet dhe të drejtat themelore.

Kosovën në diskutimin plenar me temë “Përshpejtimi i konvergjencës socio-ekonomike me BE-në për të nxitur rritjen dhe konkurrencën evropiane” e përfaqësoi drejtori ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Dren Puka.

Puka falënderoi KESE-në për rishikimin e vendimit që fillimisht kishte lënë Kosovën jashtë nismës për anëtarët kandidatë për zgjerim, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile dhe qytetarëve në procesin e reformave.

Ai ngriti shqetësime për presionet ndaj organizatave të shoqërisë civile në rajon dhe ndikimin e reduktimit të financimeve ndërkombëtare, duke kërkuar që mbështetja për shoqërinë civile të trajtohet si një investim strategjik për demokracinë.

Gjatë fjalimit të tij, Puka reagoi edhe ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila kishte thënë se, nëse do të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht” Kosovën.

Ai e cilësoi këtë deklaratë si një kujtesë të rrezikut që sjell retorika e luftës dhe kërkoi që Bashkimi Evropian të mos heshtë përballë gjuhës që cenon paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në këtë sesion plenar, përveç KCSF-së, Kosovën e përfaqësuan edhe përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, SBASHK-ut, Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe Platformës Civikos.

EMISIONET