IKSHPK jep alarmin nga i nxehti: Mos i lini fëmijët në makinë, as për një minutë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar për kujdes maksimal gjatë valës së të nxehtit, duke paralajmëruar se temperaturat e larta mund të përbëjnë rrezik serioz për shëndetin, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit.
Në një njoftim zyrtar, IKSHPK u bën thirrje qytetarëve të hidratohen vazhdimisht, të shmangin pijet me sheqer dhe alkool, si dhe të kufizojnë qëndrimin në diell gjatë intervalit 11:00–17:00, kur rrezatimi është më i fortë.
Instituti rekomandon gjithashtu veshjen e rrobave të lehta, prej pambuku dhe me ngjyra të çelëta, si dhe qëndrimin në ambiente të freskëta ose me hije.
Një nga paralajmërimet më të forta lidhet me fëmijët, të cilët nuk duhet të lihen në automjete, qoftë edhe për pak minuta.
Sipas IKSHPK-së, temperatura brenda një makine të mbyllur rritet shumë shpejt dhe mund të arrijë nivele të rrezikshme, duke rrezikuar seriozisht jetën e fëmijëve.
Instituti këshillon gjithashtu përdorimin e kremrave mbrojtës ndaj diellit, syzeve dhe kapelave, ndërsa u kërkon qytetarëve të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave të goditjes nga të nxehtit, si marramendja, lodhja, dhimbja e kokës apo konfuzioni.
Në rast të shfaqjes së këtyre simptomave ose përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, IKSHPK apelon që të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore.


