FSK drejt Gazës/ Kontingjenti kosovar përgatitet për misionin ndërkombëtar

Forca e Sigurisë së Kosovës po avancon përgatitjet për dërgimin e kontingjentit të saj në Gaza, në kuadër të misionit ndërkombëtar stabilizues të sigurisë.
FSK-ja është duke koordinuar hapat me shtabin e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë, ndërsa katër pjesëtarë të saj tashmë janë nisur drejt zonës së misionit.
Sipas njoftimeve zyrtare, pjesëtarët e FSK-së do të angazhohen në fusha si logjistika dhe mbështetja e çështjeve civile, në kuadër të përpjekjeve për garantimin e sigurisë në Gaza.
Shefja e kabinetit të ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Liridona Gashi, ka bërë të ditur se pjesa tjetër e kontingjentit ka përfunduar përgatitjet operacionale dhe logjistike dhe pritet të niset pas koordinimeve përfundimtare me shtabin e misionit.
“Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë mision paraqet një hap të rëndësishëm në konsolidimin e rolit të saj si kontribuuese aktive në sigurinë ndërkombëtare”, deklaroi Gashi.
Ekspertët e sigurisë e vlerësojnë këtë angazhim si një moment të rëndësishëm për FSK-në, duke theksuar se pjesëmarrja në misione ndërkombëtare forcon pozitën e Kosovës në arenën globale të sigurisë.
Ky mision shihet edhe si një tjetër hap në rrugëtimin e FSK-së drejt standardeve të NATO-s, në prag të përmbylljes së procesit të transformimit të saj në një forcë moderne dhe profesionale.


