Greqia vendos në orbitë satelitët për zbulimin e zjarreve në kohë reale

Greqia vendos në orbitë satelitët për zbulimin e zjarreve

Greqia ka vendosur në orbitë një konstelacion satelitësh të dedikuar për zbulimin dhe monitorimin e zjarreve, duke u bërë vendi i parë në botë me një sistem të tillë të fokusuar ekskluzivisht në këtë qëllim.

Katër satelitët e kompanisë OroraTech u dërguan në orbitën e ulët të Tokës në muajin maj. Secili prej tyre është me përmasa të vogla dhe i pajisur me sensorë termikë që mund të zbulojnë vatra zjarri deri në 4 metra.

Të dhënat e mbledhura analizohen nga modele të inteligjencës artificiale, të cilat përcaktojnë nëse bëhet fjalë për zjarr aktiv. Informacioni më pas u dërgohet menjëherë shërbimeve zjarrfikëse dhe autoriteteve përkatëse.

Sipas drejtuesve të projektit, sistemi nuk kufizohet vetëm në zbulim, por mund të simulojë edhe përhapjen e zjarrit, duke ndihmuar në vendimmarrjen në terren.

Ministri grek i Qeverisjes Dixhitale, Dimitris Papastergiou, ka bërë të ditur se sistemi pritet të jetë veçanërisht i rëndësishëm gjatë sezonit të verës, kur rreziku i zjarreve në Greqi është i lartë.

Sipas autoriteteve zjarrfikëse, satelitët do të ofrojnë të dhëna çdo orë, duke ndihmuar në ndjekjen në kohë reale të zhvillimit të zjarreve dhe përhapjes së tyre.

Sistemi është projektuar gjithashtu për të reduktuar alarmet e rreme, duke filtruar burime të tjera nxehtësie si panelet diellore apo sipërfaqet e mbinxehura.

Rrjeti satelitor kushton rreth 200 milionë euro dhe financohet nga Bashkimi Evropian. Programi pritet të përfundojë brenda këtij viti.

EMISIONET