Fundi një kostoje të rëndë për studentët shqiptar në Malin e Zi/ Hiqet tarifa prej 3,500 eurosh për njohjen e diplomave

Fundi një kostoje të rëndë për studentët shqiptar

Në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, është mundësuar heqja e tarifës prej 3,500 eurosh për ekuivalentimin e diplomave për studentët nga Mali i Zi që kanë kryer studimet në gjuhën shqipe në universitetet e Shqipërisë.

Ky proces prekte në mënyrë të veçantë pjesëtarët e pakicës shqiptare në Mal të Zi, për shkak të specifikës gjuhësore të këtij komuniteti.

Ndryshe nga shumica e komuniteteve të tjera në Mal të Zi, të cilat përdorin gjuhë të familjes sllave, komuniteti shqiptar ndjek arsimimin në gjuhën shqipe, çka e bënte procesin e njohjes dhe ekuivalentimit të diplomave më të ndjeshëm nga pikëpamja administrative dhe financiare.

Që prej vitit 1991, pjesëtarë të pakicës shqiptare në Mal të Zi kanë përfituar kuota të lira studimi në universitetet shqiptare, si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme për arsimimin në gjuhën shqipe.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces ka pasur Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi, znj. Anđela Jakšić-Stojanović, e cila ka dëshmuar angazhim të vazhdueshëm në mbështetje të arsimit në gjuhën shqipe. Ministrja Jakšić-Stojanović ka qenë gjithashtu një nga mbështetëset kryesore të përfshirjes së Abetares Mbarëkombëtare në kurrikulat e shkollave ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Heqja e kësaj tarife përbën një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të procedurave administrative dhe uljes së kostove të panevojshme për studentët dhe familjet e tyre, duke e bërë procesin e njohjes së diplomave më të aksesueshëm, më praktik dhe më të drejtë.

Lehtësimi i këtyre procedurave krijon kushte më të favorshme për vijimin e rrugëtimit akademik dhe profesional të të rinjve nga Mali i Zi që zgjedhin të studiojnë në gjuhën shqipe në Shqipëri.

Arsimi mbetet një tjetër urë e rëndësishme që afron njerëzit, forcon bashkëpunimin dhe krijon mundësi të reja ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

EMISIONET