Artisti me Grammy gjendet i pajetë në Londër, tre të arrestuar në hetimet për vr*sjen e Talay Riley

Artisti me Grammy gjendet i pajetë në Londër, tre të

Këngëtari dhe kompozitori i vlerësuar me çmimin Grammy, Talay Riley, ka ndërruar jetë pasi u godit me thikë në gjoks, sipas informacioneve të bëra publike në nisje të hetimit gjyqësor mbi rrethanat e vdekjes së tij.

Artisti, emri i vërtetë i të cilit ishte Mark Orapbi, u gjet me plagë të shkaktuara nga thika në një kopsht në zonën e Silvertown, në lindje të Londrës, mëngjesin e 5 qershorit, ku edhe u konstatua i vdekur në vendngjarje.

Autopsia arriti në përfundimin se ai humbi jetën si pasojë e plagëve në kraharor ose në zonën e barkut, të shkaktuara nga një mjet i mprehtë, siç u bë e ditur në gjykatën mjeko-ligjore të Londrës Lindore.

Tre persona u arrestuan si të dyshuar për vrasje ditën e ngjarjes. Një 27-vjeçar është liruar me kusht, ndërsa hetimet vijojnë. Ndërkohë, një 24-vjeçar dhe një 25-vjeçare janë lënë të lirë pa masa të mëtejshme, pasi u morën në pyetje nga autoritetet.

Riley kishte bashkëpunuar me emra të njohur të muzikës si Dua Lipa, Jessie J, Craig David dhe Usher, ndërsa kishte kontribuar në hite të njohura si “Young Dumb & Broke” i Khalid dhe “Afterglow” i Becky Hill, ky i fundit i certifikuar trefish platin në Mbretërinë e Bashkuar. Ai fitoi një çmim Grammy në vitin 2020 së bashku me vëllain e tij për bashkëkrijimin e këngës “Lights On” të H.E.R.

Mjekja ligjore Nadia Persaud deklaroi se aktualisht nuk do të përcaktojë hapat e mëtejshëm të hetimit, pasi çështja është ende nën hetim nga policia. Sipas saj, procedura mund të pezullohet nëse ngrihen akuza penale.

Ajo shtoi gjithashtu se familja e viktimës është njohur si “palë e interesuar” në proces, çka do t’u japë mundësinë të paraqesin prova dhe të bëjnë pyetje gjatë seancave të ardhshme. Rishqyrtimi i çështjes është caktuar të zhvillohet pas tre muajsh.

Nga ana tjetër, kryeinspektorja Joanna York, e cila drejton hetimet e Policisë Metropolitane, e cilësoi ngjarjen si tragjike dhe u bëri thirrje dëshmitarëve të mundshëm të bashkëpunojnë me autoritetet.

“Hetimet po vijojnë me ritme të shpejta. I bëjmë thirrje kujtdo që ka qenë në zonë në momentin e ngjarjes, apo që mund të ketë pamje filmike, të kontaktojë policinë”, u shpreh ajo.

Shërbimi i Ambulancës së Londrës bëri të ditur se mori njoftimin për sulmin rreth orës 09:00 të mëngjesit të 5 qershorit dhe dërgoi menjëherë në vendngjarje ekipe emergjence, të cilat i dhanë ndihmën e parë viktimës përpara transportimit në një qendër të specializuar, ku më pas u konfirmua vdekja e tij.

EMISIONET