Xhemollari: Protesta ka tejkaluar incidentin në Zvërnec, po ndodhin procese transformuese për shoqërinë shqiptare
Një protestë e nisur fillimisht si reagim qytetar për situatën dhe incidentin ushtarak në Zvërnec, është shndërruar papritur në një lëvizje të gjerë politike që ka bashkuar qytetarë nga çdo krah. Në ditën e saj të 18-të, kjo revoltë po cilësohet si një "festival demokracie", ku individë me bindje tërësisht të ndryshme janë bërë bashkë për një qëllim madhor: kërkimin e dorëheqjes së kryeministrit.
Për të folur më tepër rreth kësaj teme, i ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte Rigels Xhemollari, nga Qendresa Qytetare, i cili u shpreh se kërkesat e protestuesve kanë tejkaluar prej kohësh çështjet lokale apo incidentet me projektet specifike, duke u fokusuar në një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë kundër qeverisë.
E gjithë kjo frymë përmblidhet në mënyrë perfekte nga një prej pankartave më pikante të shfaqura së fundmi në shesh, e cila mbart mesazhin: "Bashkë, derisa dorëheqja e kryeministrit të na ndajë". Kjo parullë tregon qartë se si një kauzë e vetme ka arritur të shërbejë si një urë lidhëse për grupime që në rrethana normale do të ishin thellësisht të ndara nga njëra-tjetra.
"Personalisht do të isha i kënaqur edhe nëse protesta do të mbyllej ditën e sotme, megjithëse dua shumë që kjo protestë të vazhdojë, të rritet dhe të arrijë të gjitha qëllimet e saj. Aty brenda kanë ndodhur shumë procese transformuese për shoqërinë shqiptare. Unë do e quaj festival demokracie aty brenda sepse aty ka njerëz të ndryshëm me bindje të ndryshme që vijnë nga grupime të ndryshme, por që i bashkon një qëllim, pra ajo që ju e thatë, një mesazh politik drejtuar kryeministrit për dorëheqjen e tij, përveç të tjerash. Dhe këtë e ilustron më së miri një nga pankartat të cilën e kam lexuar ditën e djeshme dhe e cila thoshte 'Bashkë, derisa dorëheqja e kryeministrit të na ndajë'. Kështu që unë besoj që këta njerëz, janë aq diversë aty brenda dhe aq të ndryshëm por kanë gjetur një pikë të përbashkët që është kjo. Dhe shumë njerëz sigurisht që kërkojnë më shumë nga kjo protestë, kërkojnë që të ketë lidership, kërkojnë që të marrë në dorë fatet e vendit, kërkojnë që të krijojë forca politike e të tjera", u shpreh Xhemollari.

