BE miraton rregullat e reja për riatdhesimet/ Meloni flet për ‘sukses historik’ dhe rol kyç të Italisë

Parlamenti Europian miratoi të mërkurën ndryshime në politikën e Bashkimit Europian për kthimin e shtetasve të vendeve të treta që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në territorin e unionit.
Sipas institucioneve europiane, rregullat e reja synojnë të thjeshtojnë dhe përshpejtojnë procedurat e kthimit, duke respektuar të drejtat themelore dhe ligjin ndërkombëtar.
Lidhur me këtë, ka ardhur edhe reagimi i kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila e ka cilësuar miratimin e rregullores së re europiane mbi riatdhesimet, një masë historike, që sipas saj, është meritë kryesore e Italisë. "Sot, Italia arriti një sukses të madh në Evropë.
Parlamenti Evropian miratoi rregulloren e re evropiane mbi riatdhesimet, një masë historike, rezultat kryesisht i punës së qeverisë italiane, e cila na lejon të riatdhesojmë shpejt ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Bashkimin Evropian", ka thënë Meloni.
Komentet Meloni i bëri përmes një videoje në rrjetet sociale, të regjistruar ndërsa ishte në Evian për Samitin e G7.
Meloni ka theksuar gjithashtu se rregullorja e re e miratuar nga Parlamenti Europian parashikon gjithashtu mundësinë e hapjes së qendrave të riatdhesimit në vendet e treta, duke ndjekur kështu sipas saj, ‘në mënyrë efektive rrugën e nisur nga qeveria italiane me protokollin me Shqipërinë’.
"Rregullorja parashikon gjithashtu mundësinë e hapjes së qendrave të riatdhesimit në vendet e treta, duke ndjekur kështu në mënyrë efektive rrugën e nisur nga qeveria italiane me protokollin me Shqipërinë, një zgjidhje inovative që e majta italiane dhe evropiane u përpoqën ta kundërshtonin me çdo kusht, por që, falë kësaj qeverie, tani është bërë një mjet në dispozicion të të gjithë Evropës", shtoi Meloni.
Kujtojmë se disa vite me parë, Italia dhe Shqipëria firmosën një marrëveshje për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër, ku do të vendoseshin emigrantë nga vendet e treta që do të ktheheshin nga Italia (deri në momentin e sqarimit të plotë të dokumentacionit, nëse do të qëndronin në BE apo jo).


