PE MBËSHTET SHQIPËRINË DREJT BE/ Vlerësime e këshilla për anëtarësimin. Amendament për zonat e mbrojtura
Parlamenti Evropian miratoi raportin për Shqipërinë për vitin 2025 duke rikonfirmuar mbështetjen politike për procesin e anëtarësit të vendit në Bashkimin Europian.

Dokumenti i hartuar nga raporteri Andreas Shider, mori 483 vota pro, 103 kundër e 70 abstenim, nga 656 eurodeputetë që morën pjesë në votim.
Eurodeputetët vlerësojnë progresin e vendit tonë në kuadër të integrimit, teksa apelohet që Shqipëria të thellojë reformat dhe të forcojë sistemet demokratike.
Por PE thotë se Shqipëria përballet edhe me sfida, sic janë forcimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i reformave kundër korrupsionit dhe përmirësimi I kulturës politike duke tejkaluar polarizimin
Objektivi i Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 nuk është thjesht një dëshirë që mund të realizohet, por një perspektivë realiste”, tha raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder.
Para votimit përfundimitar eurodeputetet rrëzuan me shumicë votash një amendament që lidhej me projektet turistike në Zvërnec dhe Sazan dhe përmende me emër dhëndrrin e presidentit të SHBA.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi rrëzimin e këtij amendamenti në një reagim për miratimin e rezolutës
Rama: Ja edhe PARLAMENTI EUROPIAN e ndau “shapin” e stuhisë digjitale të dizinformimit nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë - Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë.
Pavarësisht gjithçkaje, kreu I qeverisë tha se flamingot do të mbrohen sipas standardeve evropiane, e Zvërneci do të zhvillohet.
Rama: Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standarteve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar
Falënderues për eurodeputetet u shfaqën edhe përfaqësuesit e opozitës Jorida Tabaku e Gazment Bardhi, I cili nënvizon një tjetër amendament ku sipas tij Parlamenti Europian mbështet kërkesat e protestuesve dhe bën thirrje për të shfuqizuar ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura.
Bardhi: Tani Edi Rama ka vetëm një detyrë: të dëgjojë zërin e eurodeputetëve dhe të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Projektligji është depozituar prej nesh në Kuvend prej një muaji dhe pret votën e deputetëve.

