MBIPESHA DHE METABOLIZMI/ Garuci: Stili i jetesës, faktor kyç në kontrollin e mbipeshës
Mbipesha mbetet një nga sfidat më të mëdha për shëndetin e popullatës, ndërsa ekspertët theksojnë se ajo nuk lidhet vetëm me faktorët gjenetikë. Sipas nutricionistes Arlinda Garuci, stili i jetesës luan një rol vendimtar në kontrollin e peshës trupore, duke përfshirë ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik, gjumin cilësor dhe menaxhimin e stresit.

Mbipesha vijon të mbetet një nga shqetësimet më të përhapura shëndetësore, duke prekur një numër të konsiderueshëm individësh.
Sipas nutricionistes Arlinda Garuci, ndonëse faktorët gjenetikë luajnë një rol të rëndësishëm për shtimin e peshëa, mënyra e jetesës mbetet elementi kryesor që ndikon në kontrollin dhe menaxhimin e saj.
Garuci shprehet se shtimi i peshës, ngadalësimi i metabolizmit dhe problemet me fryrjen lidhen ngushtë me një stil jetese jo të shëndetshëm.
Sipas saj, pavarësisht ritmit të ngarkuar të jetës së përditshme, secili individ mund të organizojë kohën dhe vaktet në mënyrë më efikase për të mbajtur nën kontroll peshën trupore dhe për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme shëndetësore.
Nutricionistja rekomandon konsumimin e vakteve të rregullta gjatë ditës, ndërsa veçon rëndësinë e një darke të lehtë dhe të konsumuar jo shumë vonë.
Ajo sugjeron gjithashtu shoqërimin e rutinës ditore me aktivitet fizik, si ecjet në mëngjes ose pas darke, si një mënyrë efektive për të mbështetur metabolizmin dhe për të parandaluar mbipeshën.

